Pse po heshtet për agjentin maqedonas të arratisur në Greqi që di shumëçka për rastin e Kumanovës?!

Pesë vite më parë ishte përmendur ish-shefi i njësisë antiterroriste të MPB-së, D.Vuçkoviq, i cili kishte folur shumë për ngjarjen e 9 majit të 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Portali Dokaz më parë ka shkruar se ai gjendet në burg në Greqi. Por sot në Shkup dhe nga MPB nuk jepen detaje për këtë protagonist kryesor të ngjarjeve të Kumanovës, përcjell INA.

Tre vite më parë ai kishte kërkuar që të mos ekstradohet në Maqedoni, për shkak të rrezikut të tij, duke qenë se në ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë ishte udhëheqës i operacionit policor, shkruan Dokaz.

Ai në shkurt të 2018 ishte arrestuar në Greqi, pasi që ndaj tij ishte shpallur fletëarrest ndërkombëtarë, pas arratisjes së tij nga paraburgimi shtatorin e një viti më parë 2017, shkruante Dokaz.

Por deri tani institucionet dhe organet hetimore maqedonase, por edhe mediat kanë heshtur për rastin e tij.

Ai fillimisht ishte arrestuar në Shkup me akuzën për trafikim me armë dhe lëndë narkotike, pasi që në makinën e tij ishte gjetur granatë dhe më shumë se 800 gram kanabis. Vuçkoviq kishte kërkuar azil politik dhe ka bërë ankesë kundër ekstradimit në Maqedoni. Në letrën e tij ai kishte shkruar se nëse do të kthehej në Maqedoni, ai do të përballet me tortura dhe deri në vdekje. Sipas mediave greke, ekstradimi i tij ka të bëjë me luftimet e 9 dhe 10 majit të 2015 në Kumanovë, ku ai po e udhëhiqte aksionin.