Pse nuk jep Lajçaku dorëheqjen nga posti i ndërmjetësuesit?

Shkruan: Shaban Murati

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në datën 18 shtator 2023, pas bisedimeve në Bruksel me presidentin e Serbisë Vuçiç, të ndërmjetësuara nga i dërguari i posaçëm i BE Lajçak, deklaroi në konferencë shtypi se “Më 14 shtator pati njё pozicionim tё qartё tё ndërmjetësit kundër Kosovës nё përgjithësi dhe kundër Marrëveshjes Bazike në veçanti. Kështu, ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilën jemi, vlerësoj që nuk mund të shtrembërohem në gjykimin tim me asnjë hedhje e hirit syve. Ose do e zbatojmë Marrëveshjen Bazike në tërësinë, në plotninë e saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Andaj, kjo duhet diskutuar me Bashkimin Evropian për emisarin evropian. Kjo mënyrë aspak neutrale dhe korrekte e ndërmjetësimit”.

Kemi një qëndrim zyrtar të kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili refuzon zyrtarisht veprimet e njëanëshme dhe të papranueshme të ndërmjetësuesit ndërkombëtar Lajcak, i cili jo vetëm favorizon Serbinë në dialog, por edhe arrin deri në atë gradë të filoserbizmit sa që shtrembëron dokumenta dhe fakte diplomatike, sikur të ishte anëtar i delegacionit zyrtar të Serbisë. Ky deformacion konkret i Lajçakut, në shkelje të mandatit të BE dhe të OKB për ndërmjetësimin në dialogun Kosovë-Serbi, e nxjerrë atë automatikisht jashtë loje si arbitër dhe ndërmjetësues ndërkombëtar. Manipulimet banale të Lajçakur për të paraqitur në bisedimet propozimet e vjetra rivendikuese serbe dhe interesat e Serbisë si propozime të BE janë një intrigë diplomatike bizantine, që fyen misionin ndërmjetësues të BE, si dhe vetë emrin e BE. Skualifikimi zyrtar i arbitrit të BE nga njera palë e ndeshjes do të mjaftonte që ndërmjetësuesi ndërkombëtar Lajçak të tërhiqej menjëherë nga posti i tij dhe të jepte dorëheqjen e parevokueshme, nëse dëshiron të jetë në përputhje me normat, rregullat dhe praktikën ndërkombëtare të ndërmjetësimit, dhe nëse ka vërtet integritet diplomatik, profesional dhe moral. Logjika më e thjeshtë kërkon dorëheqjen nga ai post, kur nuk gëzon besimin e të dy palëve, sepse kokë ngjeshja për të ndejtur në atë post don të thotë se ai ndërmjetës punon për dështimin e bisedimeve midis dy palëve.

Të gjitha manualet diplomatike ndërkombëtare për procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar paraqesin si kusht “sine qua non” besimin që duhet të gëzojë ndërmjetësi ndërkombëtar te të dy palët në konflikt dhe i referohen thënies së poetit skocez George Macdonalds, që theksonte “të jesh i besuar është kompliment më i madh se sa të jesh i dashuruar”. Manuali i njohur diplomatik “Udhëzime të etikës për ndërmjetësuesit” nënvizon se “Një ndërmjetësues duhet të dorëhiqet nga procesi i ndërmjetësimit nëse nuk është i aftë të mbetet i paanëshëm”. Edhe manuai i OKB i viti 2010 “Manual për ndërmjetësuesit: Këshilla nga përfaqësuesit dhe të dërguarit e posaçëm të OKB” thekson kushtin e paanshmërisë së ndërmjetësuesit dhe detyrën e tij për dorëheqje nëse nuk e ruan atë paanshmëri. Historia dhe kronika diplomatike janë të mbushura me shembuj të shumtë që tregojnë se ndërmjetësues ndërkombëtarë janë tërhequr menjëherë nga posti, kur njera palë e konfliktit ka shprehur mosbesim dhe refuzim ndaj ndërmjetësuesit. Ka ndodhur shpesh sidomos me diplomacinë e nivelit të lartë të OKB, e cila ka një praktikë të gjatë dhe të pasur të ndërmjetësimit ndërkombëtar.

Në vitin 2015 i dërguari i posaçëm i OKB për Liqenet e Mëdha në Afrikë dhe ndërmjetësues i OKB për konfliktin politik në Burundi, diplomati Said Djinnit, dha dorëheqjen kur njera palë e konfliktit e akuzoi atë për paragjykime dhe anshmëri në favor të palës tjetër Të japësh dorëheqjen nga posti i ndërmjetësuesit, kur të refuzon njëra ose tjetra palë e konfliktit, do të thotë në radhë të parë të kesh integritet diplomatik, profesional dhe moral. Duket se këto cilësi ekzistenciale i mungojnë ndërmjetësuesit të BE Lajçak, përderisa jo vetëm nuk po dorëhiqet, por po nxjerr edhe bashkëqytetarin e vet sllovak Stano të sulmojë kryeministrin e Prishtinës. Kemi një mentalitet tipik komunist të stilit sovjetik, të cilin duket Laçakut ia ka mësuar shkolla diplomatike ruse, ku e lauruan dhe e graduan. Nuk mendoj se është i drejtë nxitimi i disa përfaqësuesve të diplomacisë europiane dhe atlantike për të marrë në mbrojtje apriori Lajçakun për rastin në fjalë, sepse nuk është as diplomatike, as jurdike dhe as morale të merret në mbrojtje një arbitwr, që e ka shitur ndeshjen diplomatike, pavarësisht se ai është treguar “i palodhur” duke vrapuar nëpër fushë.