Pse kërkohet shkarkimi i Donika Gërvallës – për shkak të Hagës apo të pasurisë së pajustifikueshme?

Xhevdet Mazrekaj

Në protestën e mbajtur në Prishtinë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, organizatorët paraqitën katër kërkesa.
E para kërkonte shfuqizimin ose ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. E dyta – shkarkimin e zëvendëskryeministres dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla. E treta – mbështetje të pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së. Ndërsa e katërta kërkonte angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë.
Tri prej këtyre kërkesave lidhen drejtpërdrejt me procesin në Hagë dhe mbrojtjen juridike të të dënuarve. Por mes tyre është futur edhe një kërkesë krejtësisht politike: shkarkimi i Donika Gërvallës.
Pikërisht këtu duhet të ndalemi.
Çfarë lidhjeje konkrete ka shkarkimi i ministres së Drejtësisë me mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit?
A do ta ndryshonte largimi i saj aktgjykimin e shkallës së parë? A do t’i fuqizonte ekipet mbrojtëse? A do të siguronte më shumë fonde? Apo do t’i sillte Kosovës ekspertë ndërkombëtarë më të mirë?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë organizatorët e protestës duhet t’i tregojnë opinionit se pse, mes kërkesave për Hagën, u fut pikërisht shkarkimi i Donika Gërvallës.
Një kërkesë politike mes tri kërkesave juridike
Kritika ndaj çdo ministri është legjitime. Edhe Donika Gërvalla mund dhe duhet të kritikohet për vendimet, deklaratat dhe rezultatet e saj. Askush në një shtet demokratik nuk duhet të jetë i paprekshëm nga kritika.
Por kërkesa për shkarkimin e një ministreje duhet të mbështetet në përgjegjësi konkrete.
Nëse organizatorët kanë prova se Gërvalla ka ndërhyrë në procesin gjyqësor, ka dëmtuar mbrojtjen, ka ndikuar në aktgjykim ose ka vepruar kundër interesave të Kosovës, atëherë këto prova duhet t’i bëjnë publike.
Nuk mjaftojnë etiketimet. Nuk mjaftojnë deklaratat e shkëputura nga konteksti. Nuk mjafton që dikush ta shpallë një kundërshtar politik “kundër UÇK-së” dhe pastaj të kërkojë shkarkimin e tij në emër të të gjithë qytetarëve.
Madje, nuk rezulton që vetë Thaçi, Veseli, Krasniqi apo Selimi të kenë kërkuar publikisht shkarkimin e Donika Gërvallës. Ata e dinë se beteja e tyre juridike nuk fitohet me eliminimin e kundërshtarëve politikë në Prishtinë, por me argumente, prova dhe mbrojtje profesionale në gjykatë.
Prandaj lind pyetja: në emër të kujt po kërkohet shkarkimi i saj?
Kujt po i pengon Byroja e Konfiskimit?
Ekziston edhe një fakt tjetër, shumë i rëndësishëm, që nuk mund të anashkalohet.
Donika Gërvalla sot drejton Ministrinë e Drejtësisë dhe është shprehur prerazi se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet.
“Pasuria e pajustifikueshme nuk do të mbetet e paprekshme”, ka deklaruar ajo.
Kjo e vendos kërkesën për shkarkimin e saj në një dritë tjetër.
A po kërkohet largimi i Gërvallës vetëm për shkak të qëndrimeve të saj për procesin në Hagë, apo dikujt po i pengon vendosmëria e saj për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme?
Kjo pyetje duhet bërë hapur.
Kosova është plaçkitur për vite përmes privatizimeve të dyshimta, shitjes së pasurisë shtetërore me çmime të ulëta, tenderëve, monopoleve dhe pasurimit të pashpjegueshëm të njerëzve të lidhur me politikën.
Shumë prej atyre që hynë në politikë me pasuri modeste, brenda pak vjetësh u shndërruan në pronarë tokash, ndërmarrjesh, hotelesh, banesash dhe objektesh afariste. Qytetarëve u është kërkuar vazhdimisht të besojnë se këto pasuri janë krijuar me punë të ndershme, ndërsa çdo përpjekje për verifikimin e tyre është kundërshtuar me zhurmë politike.
Prandaj, nuk mund të jetë e parëndësishme që sot kërkohet shkarkimi i ministres e cila premton se pasuria e pajustifikueshme nuk do të mbetet e paprekshme.
Privatizimet e diskutueshme dhe standardi i dyfishtë
Në mediat e Kosovës është raportuar se Nasim Haradinaj ka blerë përmes privatizimit rreth 220 hektarë tokë shtetërore. Bazuar në vlerën e deklaruar të pronës, është raportuar se çmimi i saj ka qenë jashtëzakonisht i ulët krahasuar me sipërfaqen e blerë.
Vetë ky raportim nuk është dëshmi përfundimtare se është kryer vepër penale. Për këtë mund të vendosin vetëm institucionet kompetente, mbi bazën e dokumenteve dhe ligjit.
Por është plotësisht legjitime të pyetet: a mund të kërkojnë shkarkimin e ministres përgjegjëse për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme persona të lidhur me privatizime kaq të diskutueshme, pa u dhënë më parë përgjigje qytetarëve për pasurinë e tyre?
Ata mund ta kritikojnë Donika Gërvallën. Mund të mos pajtohen me të. Mund të kërkojnë edhe shkarkimin e saj. Por nuk mund ta përdorin emrin e UÇK-së si mburojë për të shmangur pyetjet për mënyrën se si është fituar pasuria shtetërore.
Mbrojtja e UÇK-së dhe verifikimi i pasurisë së pajustifikueshme nuk janë çështje që përjashtojnë njëra-tjetrën. Një ish-luftëtar mund të nderohet për kontributin e tij në luftë dhe njëkohësisht të japë llogari për pasurinë e fituar pas luftës.
Lufta nuk mund të jetë amnisti për gjithçka që ka ndodhur më pas.
A po përdoret UÇK-ja për një betejë tjetër?
Hysni Gucati ka kërkuar drejtpërdrejt shkarkimin e Donika Gërvallës. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë si qytetar dhe si drejtues i një organizate.
Por ai ka edhe detyrimin t’u shpjegojë qytetarëve se çfarë lidhjeje konkrete ka shkarkimi i saj me mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Nëse kjo lidhje nuk ekziston, atëherë lind dyshimi i arsyeshëm se protesta dhe emocioni qytetar po përdoren edhe për një betejë tjetër politike: për largimin e ministres që po këmbëngul në krijimin e mekanizmit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Kjo do të ishte keqpërdorim i rëndë i emrit të UÇK-së.
UÇK-ja nuk ka luftuar që një grup njerëzish të privatizojë pasurinë shtetërore me çmime qesharake. Nuk ka luftuar që individë të caktuar të pasurohen, ndërsa familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e zakonshëm të mbeten në varfëri.
UÇK-ja ka luftuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës, jo për krijimin e një klase të paprekshme mbi ligjin.
Bagazhi kombëtar i Donika Gërvallës
Donika Gërvalla nuk duhet mbrojtur vetëm për shkak të mbiemrit që mban. Ajo duhet gjykuar mbi bazën e punës dhe përgjegjësisë së saj politike.
Por as historia e saj familjare nuk mund të fshihet.
Ajo është bija e Jusuf Gërvallës, njërit prej veprimtarëve më të shquar të çështjes kombëtare, të vrarë në Gjermani më 1982, së bashku me Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën.
Gërvalla e njeh mirë shtetin gjerman, gjuhën e diplomacisë perëndimore dhe mënyrën se si duhet t’u shpjegohet ndërkombëtarëve e vërteta e Kosovës. Përvoja dhe biografia e saj kanë peshë, sidomos përballë përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për ta paraqitur Kosovën si burim të problemit dhe jo si viktimë të agresionit shtetëror serb.
Pikërisht për këtë arsye, çdo kërkesë për shkarkimin e saj duhet të mbështetet në fakte dhe përgjegjësi konkrete, jo në mllef politik dhe etiketime.
Thaçi dhe të tjerët nuk kërkuan publikisht shkarkimin e saj
Ekziston edhe një dallim që duhet theksuar.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë ata që po vuajnë pasojat e drejtpërdrejta të aktgjykimit. Megjithatë, nuk rezulton se ata kanë kërkuar publikisht shkarkimin e Donika Gërvallës.
Atëherë, pse po e kërkojnë këtë njerëz që ndodhen në Prishtinë?
Nëse vetë të dënuarit dhe mbrojtja e tyre nuk e kanë paraqitur largimin e Gërvallës si kusht për përmirësimin e pozitës së tyre juridike, kush vendosi që kjo të bëhej kërkesë e protestës?
A u konsultuan familjet dhe ekipet mbrojtëse? A ekziston ndonjë argument juridik? Apo dikush e shfrytëzoi protestën për ta futur në listë një kërkesë të parapërgatitur politike?
Këto pyetje meritojnë përgjigje.
UÇK-ja nuk mbrohet duke mbrojtur pasurinë e pajustifikueshme
Kosova duhet t’i mbështesë ekipet mbrojtëse, të angazhojë ekspertë të njohur ndërkombëtarë dhe të shqyrtojë çdo mundësi ligjore në raport me Dhomat e Specializuara.
Por Kosova duhet, po ashtu, të luftojë korrupsionin dhe pasurimin e pajustifikueshëm.
Nuk mund të kërkojmë drejtësi në Hagë dhe njëkohësisht të pengojmë drejtësinë në Prishtinë. Nuk mund të kërkojmë standarde të pastra nga gjyqtarët ndërkombëtarë, ndërsa brenda Kosovës të shpallim të paprekshëm çdo person që mbështillet me flamurin e UÇK-së.
Donika Gërvalla duhet të japë llogari për çdo vendim të saj. Por edhe kundërshtarët e saj duhet të japin llogari për pronat, privatizimet dhe pasurinë e fituar.
Prandaj, pyetja mbetet:
Pse kërkohet pikërisht tani shkarkimi i ministres së Drejtësisë, në kohën kur ajo po paralajmëron jetësimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme?
Për shkak të Hagës apo për shkak të frikës nga verifikimi i pasurisë?
Pa një përgjigje bindëse, kërkesa për shkarkimin e Gërvallës nuk duket si mbrojtje e UÇK-së. Duket si përpjekje për ta përdorur autoritetin e luftës për një betejë të brendshme politike dhe, ndoshta, për mbrojtjen e interesave që mund të preken nga drejtësia.
UÇK-ja nuk duhet të përdoret për të mbrojtur askënd nga ligji. Ajo është shumë më e madhe se interesat, tokat dhe pasuritë e secilit prej nesh.