Pse Berisha po përpiqet t’u mbush mendjen të vetëve, se fitohet edhe pa SHBA

Nga Mero Baze

Sali Berisha po përpiqte t’u mbush mendjen mbështetësve të vet, se ai mund të fitoj edhe kundër vullnetit të SHBA pushtetin. Për ta ilustruar këtë, dje në foltoren e Beratit shpiku një gënjeshtër. Në fakt është një gënjeshtër e shpikur një herë më 1999, dhe Berisha e di që është gënjeshtër, por e rimerr për të fyer presidentin Klinton dhe për t’u hequr frikën demokratëve se me SHBA kundër, nuk vijnë dot në pushtet.

Ai risolli para mbështetësve të Foltores në Berat, një bisedë të trilluar mes Presidentit Klinton dhe Ibrahim Rugovës. Rugova dhe Klintoni janë takuar në Maj të vitit 1998 dhe në librarinë e Presidentit Klinton mund të lexohet e plot biseda, ku Sali Berisha nuk është zënë në gojë në asnjë rrethanë. Madje as Shqipëria.

Në bisedë ku kanë marrë pjesë Rugova, Agani, Bukoshi dhe Surroi është folur për 20 minuta vetëm për rolin që SHBA duhet të luante që Kosova të mos kthehej në një Bosnjë të dytë. Dhe presidenti Klinton ua ka premtuar.

Berisha shpiki dje sikur Rugova I ka thënë Klintonit se “ne kemi raporte të mira në Shqipëri me Berishën” dhe sikur Presidenti Klinton I ka thënë “epo tani Lumi nuk kalon dy herë në të njëjtin gurë.” Dmth që nuk mund të vij më në pushtet. Ironi e fatit është se takimi Rugova Klinton është bëre në Maj të vitit 1998 një vit pasi Berisha kishte ikur nga pushtet me trazira dhe për shkak të prishjes me SHBA dhe që vet SHBA kërkoi dhe dorëheqjen e tij, ndërsa Presidenti Rugova dhe Berisha nuk komunikonin më, pas përpjekjeve të Berishës për ta përdorur atë për të eksportuar konfliktin e Shqipërisë në Kosovë me qëllim që të shpëtonte Shqipëria nga vëmendja amerikane për shkatërrimin e zgjedhjeve të vitit 1996. Pas injorimit nga ana e Rugovës, Berisha tentoi ta zëvendësoj atë me Demaçin, por pa sukses.

Trillimi I Berishës ka vetëm një qëllim. Ai po përpiqet t’u mbush mendjen demokratëve të frikësuar se nuk është e domosdoshme mbështetja e SHBA për të ardhur në pushtet. Dhe me atë trillim donte të tregonte se ai në vitin 2005 erdhi në pushtet kundër vullnetit të SHBA.

Tani po përsërit të njëjtën fabul.

Ngërçi në të cilin ka hyrë foltorja, degradimi I ligjërimit publik në gënjeshtra dhe njerëz të çmendur që i mbushin sallat, dhe mbi të gjitha hezitimi që kanë demokratët të mbështesin një lidership të ri të PD me Berishën në krye, si antiamerikan, kanë mobilizuar Berishën t’u mbush mendjen të vetëve, se fitohet dhe me SHBA kundër.

Dalja e sotme e Lulzim Bashës dhe përsëritja e tij e premtimit se PD nuk ka ndërmend të mbledh Kuvend antiamerikan, pasi PD pa SHBA shkrihet e ka xhindosur dhe më shumë për të këmbëngulur se fitohet dhe pa SHBA.

Në këto kushte Berisha ka nevojë ta ilustroj me një fakt triumfin antiamerikan të tij. Dhe meqë nuk ka të tillë, ka shpikur një gënjeshtër, qe e quan fakt. Me këtë rast nxjerr dhe inatin me Presidentin Klinton, si presidenti që e ka rrëzuar nga pushteti. TEMA