PS mban asamblenë, Rama largohet drejt Turqisë

Partia Socialiste e Shqipërisë mban sot Asamblenë në orën 17:30, ndërkohë kryetari i Partisë, kryeministri Edi Rama mësohet se rreth orës 14:00 do të niset për në Turqi, ku pritet të ketë disa takime. Kryeministri Rama do të marrë pjesë online nga Turqia, ndërsa do të mbajnë fjalën gjithashtu dhe Taulant Balla dhe sekretari organizativ Arben Pëllumbi.

Ndërkohë, mësohet se më datë 8-9 qershor, kreu i qeverisë do të zhvillojë një vizitë zyrtare dhe në Bullgari.
Në këtë Asamble nuk do të ketë zgjedhje të kryesisë së re, por vëmendja do të jetë te thirrja e Kongresit si dhe strukturat në bazë.

Pikë e parë në agjendën e Asamblesë socialiste është thirrja e Kongresit të Jashtëzakonshëm të partisë që do të mbahet më 12 qershor, në 30 vjetorin e krijimit të partisë.

Gjithashtu në mbledhjen online pritet të miratohen dhe projektvendimet për analizën e zgjedhjeve të 25 prillit në strukturat vendore dhe zgjedhjet në to, gjë që ishte paralajmëruar më herët nga vetë kryesocialisti Rama. Asambleja e socialistëve do të miratojë dhe kalendarin politik të partisë për vitin 2021.

Në lajmërimin e disa ditëve më parë, mbledhja ishte njoftuar të mbahej te Amfiteatri i liqenit në Tiranë, por duket se socialistët kanë preferuar që analizat e brendshme t’i bëjnë larg veshëve kureshtarë, ndaj dhe organizatorët vendosën që Asambleja të mbahet online.