Organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës së zhvilluar në Tiranë janë distancuar nga incidentet e ndodhura pranë Komisariatit Nr. 3, duke deklaruar se aktet e dhunshme janë kryer nga katër individë që, sipas tyre, nuk kanë pasur lidhje me tubimin.
Në reagimin e tyre thuhet se personat në fjalë ishin të “infiltruar” dhe se veprimet e tyre synonin të provokonin tensione gjatë protestës.
Sipas organizatorëve, gjatë momenteve të përplasjes, qytetarët e pranishëm kanë reaguar duke thirrur “Jo dhunës!”, ndërsa i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit të identifikojë autorët e incidentit.
Protestuesit e krahasuan ngjarjen me rastin e mëparshëm të flamurit të Izraelit, duke e cilësuar si një tjetër përpjekje për të krijuar përçarje dhe intimidim.
“Asgjë nuk do ta ndalë marshimin paqësor deri në largimin e kryeministrit”, thuhet në deklaratë.
Organizatorët theksuan se protesta e djeshme ishte ndër më të mëdhatë e zhvilluara ndonjëherë në vend, ku u përdorën simbolika si “torta e betonit”, “arkivoli politik” dhe “rrobat e burgut”.
Në reagim shtohet se një incident i izoluar nuk mund të njollosë revoltën e mijëra qytetarëve të zhgënjyer pas 13 viteve qeverisje, ndërsa përmenden edhe ngjarje të së kaluarës, si 21 janari, si pjesë e argumentit të tyre për rritjen e pakënaqësisë ndaj qeverisë.
Protestuesit shprehën gjithashtu zemërim të fortë ndaj kryeministrit, duke deklaruar se pakënaqësia e tyre është shndërruar në revoltë të hapur politike.



