Protestat për “Monstrën”, 8 muaj burg për Betim Kasamin

I akuzuari Betim Kasami është dënuar me 8 muaj burg pasi që në protestën kundër aktgjykimit për rastin “Monstra” më 26 shkurt, ka gjuajtur policinë me gjësende të forta. Fajin e pranoi, ndërkaq Gjykata Penale e Shkupit e shpalli fajtor, Portalb.mk.

 

“Isha në protestë, e pranoj fajin dhe veprën. Pendohem për atë që kam bërë. E lus gjykatën që të më dënojë më pak”, ka thënë Kasami para gjykatës.

Prokuroria kërkoi që i akuzuari të dënohet për veprën e kryer, ndërkaq avokatja kërkoi që të merret parasysh se personi në fjalë për herë të parë e ka shkelur ligjin, pra nuk ka qenë i dënuar paraprakisht.

Paraprakisht, Prokuroria Publike e Shkupit ka dorëzuar akuzë deri te Gjykata Penale e Shkupit kundër tetë personave për “dhunë” ndaj zyrtarëve policorë, gjatë protestës kundër aktgjykimit për rastin “Monstra” e cila është mbajtur më 26 shkurt në Shkup dhe të gjithëve u është shqiptuar masë paraburgimi. Tre të akuzuarit, Shaban Veseli, Behar Dalipi dhe Besar Kalisi në seancën gjyqësore të mbajtur më 19 mars e pranuan fajin për protestat “e dhunshme” kundër aktgjykimit për rastin “Monstra” e cila është mbajtur më 26 shkurt në Shkup, ndërkaq Gjykata Penale i dënoi me nga 1 vit burg efektiv.