Protestat në Shqipëri, Rama akuzon presidentin dhe opozitën

Kryeministri i Shqipëtisë Edi Rama sulmon Presidentin Ilir Meta dhe opozitën duke i akuzuar sërish se qëndrojnë pas protestave të ditëve të fundit pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga efektivi i policisë në Tiranë. Kreu i qeverisë shqiptare thotë se Shqipëria do të vazhdojë përpara.

“Por Iliri dhe Saliu duhet ta harrojnë se e kthejnë prapë Shqipërinë për përsheshin e tyre dhe sado ëndrra të shohë Luli duke mbajtur lugën në dorë që t’i vijë gjella e Monikës, Shqipëria do të vazhdojë drejt përpara, me mund e durim, për t’u bërë ajo që duan fëmijët e saj! Sipas Ilir Metës policia nuk duhet të reagojë, po duhet të dorëzojë Tiranën dhe veten në duart e dhunuesve të verbër, që ai bashkë me Saliun të bëjnë Lulin dhëndërr të pushtetit dhe Monikën arkëtare të shtetit, si në kohët e arta të bashkëqeverisjes me plumba mbi protestuesit! Kur policia reagoi ndaj një provokatori famoz gjatë ushtrimit të dhunës opozitare tek Kuvendi, Ilir Meta vrapoi në spital për të vizituar heroin e dhunës! Kur policit të shtetit, i nxjerrin syrin dhunuesit me kapuçë të nxitur prej tij e Saliut, Ilir Meta dënon dhunën policore” shkruan ai.

Prej tre netësh radhazi janë zhvilluar protesta në Tiranë dhe thuajse në të gjitha qytetet e tjera të vendit, ndërsa dita e katërt, sot nisi me tubim në Shkodër.