Pronarët e mbyllin në dyqan dhe e dhunojnë fizikisht, kundërshtojnë me dhunë edhe policinë

Dy pronarë të një dyqani elektro-shtëpiakesh, në zonën e ish-Doganës, kanë mbyllur dhe dhunuar fizikisht në biznesin e tyre klienten.

Policia ka arrestuar shtetasit S. A., 63 vjeç, dhe E. H., 41 vjeçe, teksa dyshohet se konflikti ndodhi për motive të dobëta.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit S. A., 63 vjeç, dhe E. H., 41 vjeçe, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, e kanë kanosur, i kanë hequr lirinë duke e mbajtur kundër vullnetit të saj në ambientet e subjektit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, ndërsa shtetasja E. H. dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta“, njofton policia.

Ndërkohë në pranga u vu edhe një 22-vjeçar, pasi u prezantua si punonjës policie me dokument të dyshuar të falsifikuar si dhe gjatë kontrollit në banesë iu gjet municion luftarak, një sasi e konsiderueshme parash dhe sende me simbolet e Policisë së Shtetit.
“Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan në flagrancë shtetasin E. J., 22 vjeç, pasi gjatë ndalimit të automjetit me të cilin lëvizte, u prezantua si punonjës policie, duke paraqitur një dokument që nuk i përkiste Policisë së Shtetit. Gjatë kontrollit të banesës së tij iu dhe u sekuestrua fishekë të kalibrave të ndryshëm, një sasi e konsiderueshme parash, si dhe 2 medalione me mbishkrimin “Albanian State Police””, njoftojnë blutë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për të dyja rastet.