Prokuroria merr në shqyrtim rastin e dhunës nga polici ndaj Erxhan Ibishit

Me rastin e rrahjes brutale të Erxhan Ibishit në stacionin policor të Kumanovës do të merret Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. MPB pas kontrollit të brendshëm në SPB-në e Kumanovës konstatoi se në këtë proces duhet të kyçet edhe organi i akuzës. Me këtë çështje, që sot do të merret Departamenti i posaçëm i Prokurorisë për veprat penale të kryera gjatë shërbimit të zyrtarëve policorë.

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion

Morëm dosjen nga MPB
Pritet të konstatohet a ka elemente për vepër penale
Mundësi eventuale për hapje të hetimit
“Sot është pranuar njoftimi nga MPB dhe posa t’i shpërndahet prokurorit përkatës do të merret me mbledhjen e dëshmive. Në bazë të tyre do të konstatohet nëse ka elemente për nisjen e procedurës para hetimore apo do të procedohet çështja drejtpërdrejtë në hapjen e hetimit për rastin në fjalë.”

Ministri i Brendshëm Agim Nuhiu dje deklaroi se dyshojnë që SPB Kumanovë nuk kanë arritur të mbledh të gjitha dëshmitë e palëve, andaj kërkoi se duhen të merren videot nga kamerat e sigurisë.

Ndërkaq, vetëm në vitin e fundit janë regjistruar 27 raste të ngjashme të denoncimeve për ushtrim të dhunës së tepërt të policisë gjatë masës së ndalimit apo paraburgimit. Nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut thonë se vetëm njëri nga këto raste është konstatuar në dobi të qytetarit.

“Vlerësojmë që këto shifra tregojnë se nuk ka objektivitet të mjaftueshëm kur vihet në pikëpyetje vlerësimi i sjellës së policëve, prandaj janë ulur edhe rastet e denoncimeve në Komitetin e Helsinkit. Megjithatë, ka edhe shumë punë deri në arritjen e barazisë para ligjit të raportit polic-qytetar- deklaroi Vildan Drplanin, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Brutalitetin policor në rastin e Erxhanit e dënoi ashpër edhe OJQ “Zani” nga Kumanova. Nga kjo organizatë kërkojnë zbardhjen e rastit me ngritjen e aktakuzës përkatëse nga ana e prokurorisë.

“Të kesh uniformë nuk do të thotë se mund të jesh barbar, dhe fuqinë e garantuar me ligji s’do të thotë se mund ta keqpërdorësh në çdo rast që të vjen mundësia”, thuhet nga OJQ Zani./Alsat