Prokuroria me aktakuzë kundër “Besa Trans” dhe udhëheqësit të kompanisë

Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot ngriti aktakuzë kundër një shkupjani 41-vjeçar, udhëheqës i një firme nga Rashqja, për shkak të asaj që gjatë vitit 2021, me licencë të rreme për kryerjen e komunikacionit rrugor ndërkombëtar, autobusi i tij mbi 20 herë e ka kaluar kufirin e shtetit. Bëhet fjalë për kompaninë “Besa Trans”.

“Pas procedurës së gjerë paraprake dhe kontrolleve të hollësishme të bëra, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot ngriti Aktakuzë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për vepër të vazhdueshme penale – Falsifikim të dokumentit”, njoftojnë nga PP.

I akuzuari 41-vjeçar, si udhëheqës i personit juridik nga Rashqja, duke përdorur të njëjtat raste dhe rrethana të ngjashme, përmes shoferëve të cilët drejtonin autobusin në pronësi të firmës, ka kryer më shumë veprime të ndërlidhura kohore dhe ka përdorur si të vërtetë një dokument publik të rremë – Certifikatë të licencës për kryerje të transportit publik në komunikacionin ndërkombëtar rrugor.

“Një licencë e tillë për autobusin në fjalë nuk është lëshuar aspak nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa udhëheqësi dokumentin e rremë të përgatitur ua ka dhënë shoferëve të cilët e drejtonin autobusin dhe me të e kanë kaluar kufirin e shtetit. Gjatë procedurës, prokurori publik kompetent ka siguruar prova se në periudhën prej 10.01.2021 deri 21.11.2021 autobusi në atë mënyrë 20 herë e ka kaluar kufirin e shtetit në vendkalime të ndryshme kufitare”, thonë nga Prokuroria.

Nga atje theksojnë se me veprimet e përshkruara i akuzuari ka kryer vepër penale – Falsifikim të dokumentit sipas nenit 378 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të nenit 45 të Kodit Penal, ndërsa subjekti juridik ka kryer vepër penale – Falsifikim të dokumentit sipas nenit 378 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të nenit 45 të Kodit Penal.

“Provat e mbledhura gjatë procedurës paraprake, të cilat kanë të bëjnë me veprimet e doganierëve në vendkalimet kufitare për kontrollin e certifikatave të licencave, Prokuroria Themelore Publike Shkup do t’i dorëzojë për veprime kompetente Departamentit për Ndjekjen e Veprave Penale të kryera nga persona me autoritetet policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit” njoftojnë nga Prokuroria.