Prokuroria i përgjigjet opozitës për “Alta Bankën”: Hetimet nuk hapen me urdhra politikë, por me prova!

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka reaguar ndaj kërkesave të opozitës për hetimin e rastit të Alta Bankës, duke theksuar se procedurat penale nuk iniciohen mbi bazën e presioneve apo kërkesave të partive politike.

Reagimi vjen pas akuzave të LSDM-së lidhur me aktivitetet e bankës dhe kërkesave për përfshirjen e organeve të drejtësisë.

“Lëndët formohen ekskluzivisht mbi bazën e provave të siguruara dhe në përputhje me ligjin, e jo nën ndikimin e subjekteve politike”, është qëndrimi i Prokurorisë.

Nga ky institucion theksojnë se veprojnë në përputhje me kompetencat ligjore në të gjitha rastet kur ekzistojnë indicie apo prova për kryerjen e veprave penale.