Ndërtimet pa leje në komunën e Çairit nuk janë ndalur, pavarësisht akuzave nga ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për Portalb.mk deklaruan se ende po përpunojnë kallëzimet penale të ngritura nga Arsovska. Ndërkaq, nga opozita kritikojnë se ndërtimet pa leje po vazhdojnë dhe akuzojnë udhëheqësinë aktuale për tolerim të ndërtimeve të paligjshme dhe marrëveshje të dyshimta që, sipas tyre, po dëmtojnë hapësirat publike, hapësirat e gjelbra, këndet e lojërave dhe infrastrukturën rrugore, shkruan Portalb.mk.
Nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për Portalb.mk kanë deklaruar se ata ende po përpunojnë kallëzimet penale të ngritura nga ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe rasti në fjalë është në procedurë paraprake hetimore.
“Një sërë urdhëresash janë lëshuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe janë ndërmarrë veprime të tjera. Përveç kësaj, lënda në të cilin ka punuar një prokuror publik nga Prokuroria Publike e Shkupit është dorëzuar në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe është bashkuar me rastet e tjera. Ndërkohë, rastin është duke e ndjekur prokurori publik i sapozgjedhur i cili do të duhet ta analizojë dhe të marrë një vendim për rrjedhën e procedurave të mëtejshme dhe miratimin e urdhëresave të reja të mundshme për ndërmarrjen e veprimeve të tjera”, thonë nga Prokuroria.
Nga atje kanë shtuar se Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nuk ka ngritur asnjë rast për ndërtime të paligjshme me iniciativën e vet, pasi tashmë janë ngritur kallëzime penale në bazë të të cilave prokuroria po vepron brenda kompetencave të saj.
Nga ana tjetër, partitë opozitare akuzojnë se ndërtimet pa leje po shkaktojnë kaos trafiku, nervozizëm te shoferët, mungesë parkingu dhe rrugë të bllokuara nga të gjitha anët dhe po vështirësohet qarkullimi normal i qytetarëve.
Nga BDI kanë reaguar edhe në lidhje me anulimin e përsëritur të procedurave të prokurimit për angazhimin e kompanive për rrënimin e objekteve pa leje në Komunën e Çairit. Sipas kësaj partie, procedurat për rrënime shpallen, shtyhen dhe anulohen në mënyrë të vazhdueshme, ndërkohë që, siç thuhet, ndërtesat shumëkatëshe pa leje dhe pa kushte të nevojshme infrastrukturore vazhdojnë të mbeten në terren.
“Përsëri u anulua procedura e prokurimit për angazhimin e një kompanie për rrënime. Kjo është një praktikë që po përsëritet. Procedurat shpallen, shtyhen dhe anulohen, ndërkohë që ndërtesat shumëkatëshe pa leje pa parkingje mbeten në këmbë. Kjo krijon një situatë ku reagimi institucional ekziston vetëm në letër, ndërsa në terren ndërtimet vazhdojnë pa pengesë”, thonë nga BDI.
Daim Luçi, këshilltar nga radhët e AKI-së në Qytetin e Shkupit, për Portalb.mk, deklaroi se vazhdimi i fenomeneve të ndërtimeve pa leje në Çair është tregues i dështimit institucional dhe mungesës së vullnetit për të vendosur rend urban. Kjo situatë nuk është më thjesht çështje teknike, siç tha ai, por edhe problem serioz i barazisë para ligjit dhe sigurisë publike.
“Ndërtimet ilegale po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët, pra po uzurpojnë hapësira publike, po ngushtojnë rrugë e trotuare, po rrezikojnë standardet e sigurisë dhe po krijojnë kaos urban që do të paguhet me pasoja afatgjata. Çdo metër katror i zënë në mënyrë të paligjshme është hapësirë e humbur për fëmijët, për gjelbërimin dhe për cilësinë e jetës së qytetarëve. Institucionet duhet të reagojnë me vendosmëri dhe pa selektivitet, sepse tolerimi i paligjshmërisë është padrejtësi ndaj qytetarëve që respektojnë ligjin”, tha Luçi.
Ndërtimet ilegale janë të dënueshme dhe dënohen sipas nenit 244-a të Kodit Penal, i cili parasheh dënim me burg deri në tetë vjet.
“Kushdo që ndërton ose kryen ndërtime ose mbikëqyrë ndërtime në tokën e tij ose të dikujt tjetër pa leje ndërtimi, ose në kundërshtim me lejen e ndërtimit të lëshuar nga organi kompetent, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet. Pasuria e paluajtshme e ndërtuar konfiskohet”, thuhet në nenin 244-a të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë që ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, më 15.07.2025 ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe disa punonjësve të tjerë të komunës, duke deklaruar se Komuna e Çairit, dyshohet se ka përdorur një regjistër të falsifikuar në të cilin janë regjistruar kërkesat për legalizimin e ndërtesave të paligjshme në Komunën e Çairit. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka rreth 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon Izet Mexhitin dhe ish-kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska madje kërkoi ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.



