Profesori i UT-së: Pas dy dekadave kontribut në vendlindje, po nisem drejt Amerikës!

Arbër Çeliku

Pas dy dekadash kontribut në vendlindje, këto ditë nisem drejt SHBA-ve, ku jam i ftuar si profesor vizitues. Në të shkuarën kam hezituar të largohem nga vendi im i shtrenjtë, sepse kam jetuar me bindjen se ne si popull mund t’ia dalim, por me kohën, duke i parë gjërat nga afër, aq më tepër, duke u përballë me rrethanat e përçudnuara shoqërore tonat, optimizmi im u zbeh dukshëm dhe ndihem i lumtur që aktivitetin tim akademik dhe njerëzor, do ta vazhdoj në një vend, ku, në radhë të parë, çmohet njeriu, puna e tij, liria, demokracia dhe vlera universale.
Për këto dy dekada, sidomos dekadën e fundit, shkaku i pozitës time fillimisht si dekan i Fakultetit të filologjisë dhe më pas edhe si prorektor në UT, por më shumë shkaku i qasjeve të mia kritike ndaj politikave të gabuara dhe fenomeneve të shëmtuara shoqërore, në masë të madhe dhe në vazhdimësi, u aktivizua një makineri e tërë e denigrimit tim personal, profesional dhe human. Nuk u impenjova kurrë, sepse para vetes dhe Zotit kam qenë i pastër, kurse ndaj bashkëpunëtorëve, kolegëve, studentëve dhe rrethit tim të miqësisë kam qenë jashtëzakonisht i hapur, korrekt dhe i dobishëm. Për popullin tim nuk kam kursyer dhe as që do të kursej kurrë diçka, qoftë edhe jetën time.
I kam ndier thellë në shpirtë gjithë ato fabrikime, shpifje, urrejtje dhe mllef ndaj meje, jo aq shumë nga ata, të cilën nuk më kanë njohur nga afër, por kanë vepruar kësisoj në sajë të solidarizimit me shpirtin e trazuar, të paarrirë profesionalisht dhe dashakeqës të individëve të caktuar, sa i kam ndier nga individët, të cilët i ndihmova, ua hapa zemrën dhe sakrifikova çdo gjë timen për mirëqenien e tyre. Sado që këto përvoja të hidhura në ndërveprim me njerëzit, arrijnë të të thyejnë, njëkohësisht e kupton se në një vend, ku nuk ka etikë, raporte të qarta ndërnjerëzore dhe interesi është strumbullari i miqësisë, aty s’ka të ardhme të lumtur.
Siç nuk qëndrova në Gjermani, kur pas përfundimit të doktoratës atje m’u ofrua mundësia e punësimit në Universitet, të cilën e braktisa pas 2 vjetësh për të kontribuuar në vendlindje, edhe kësaj radhe, nuk do të qëndroj përgjithmonë, kohën 1 vjeçare në SHBA do ta shfrytëzoj për ngritjen time profesionale dhe do të kthehem edhe më i kompletuar, për t’i shërbyer shoqërisë dhe popullit tim.
Studentëve të mi shumë të dashur, edhe pse ndaj tyre jam treguar rigoroz, por, siç dhe ata e dinë, kjo ka qenë për të mirën e tyre, u uroj suksese nga zemra në të gjitha sferat e jetës. Siç kishin shkruar në një shpallje timen para ca ditësh: “Lamtumirë Profesor Arbër Çeliku, të duam”, ju them dhe unë me tërë qenien time se: EDHE UNË JU DUA DHE DO TË MË MUNGONI SHUMË.
Më këtë rast shfrytëzoj rastin ta falënderoj udhëheqësinë e Universitetit amerikan Northern Illinois University për ftesën dhe angazhimin e tyre maksimal në rregullimin e dokumentacionit të shkuarjes time atje si dhe Ambasadën e SHBA-ve në Shkup për miratimin e shpejtë të vizës time.
Një falënderim i veçantë u dedikohet edhe gjithë miqëve të mi të sinqertë!