Profesorë nga Maqedonia e Veriut e Kosova janë pajisur me tituj shkencor dhe diploma të Universitetit të Kragujevcit

Universiteti i Kragujevcit ka konfirmuar se profesorë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë pajisur me tituj shkencor në universitetin e tyre, ku kanë nisur hetime të detajuara.

Deri tani janë anuluar 22 diploma që janë dhënë nga fakulteti për shkenca mjekësore, dhe se po vijon verifikimi i të tjerave, theksoi për Evropa e Lirë, rektori i këtij universiteti Nenad Filipoviq. Sipas tij, është anuluar edhe një diplomë doktor shkence, përcjell INA.

Filipoviq ka theksuar se po hetohen 15 doktoratura të personave nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, që ka dyshime se janë marrë në mënyrë jolegale.

Informatën për këto hetime në Kragujevc e ka konfirmuar edhe Dr. Dejan Trajkovski, profesor në fakultetin teknik në Universitetin e Manastirit. Ai ka thënë se ka një listë prej qindra emrave që 10 vitet e fundit janë marrë dhe që menjëherë duhet të asgjësohen, për shkak se janë marrë me mashtrime të organizuara nga vetë universiteti i Kragujevcit. Ai ka shtuar se kjo është bërë përmes komisioneve të rrejshme, ku kandidatët më pas kanë kaluar të gjitha filtrat deri tek diploma apo titulli shkencor.