Profesor Bajrami: “Gabuan me rrëzimin e Albin Kurtit”

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë se Qeveria Kurti nuk është dashur të rrëzohej në kohën e pandemisë me koronavirus.Në Deskun e KOHËS, ish-ministri Bajrami ka akuzuar skenën politike se ka gabuar me këtë rrëzim.“Në kohën e pandemisë në krejt botën agjendat politike janë spostuar dhe të gjitha qeveritë kanë pasur vetëm një preokupim, mbijetesën e popullit sepse pandemia ka befasuar të gjithë. Rusia deri vonë e nënçmonte, por po e shohim sot. Pat një lloj moratoriumi politik. Shumë qeveri u formuan për t’i shërbyer popullit. Për Kosovën ishte moment jashtëzakonisht i vështirë e gjykoj që është dashur të lihen deri në fund këto veprime pas pandemisë. Është dashur qeveria të ofrojë më shumë hapësirë për opozitën në grupet e përbashkëta për menaxhim të pandemisë, e të lihet gjithçka pas pandemisë. Gjykoj se e gjithë kjo ka mundur të presë përfundimin e pandemisë e normalisht më pas vijnë llogaridhëniet. Është dashur që qeveria të ketë të paktën 100 ditë. Është një adet që çdo qeverie i lihen 100 ditë, madje tolerohen edhe gabimet. Ka pas plot gabime në menaxhim, në lidership, por jo që në kohën e pandemisë vendi të stresohet edhe me probleme politike. Ka mundur të diskutohet në ambient shumë të qetë ku opozita do të luante rolin e vet”, ka thënë ai.