Pritjet e gjata të mërgimtarëve në pika kufitare

Pritjet e gjata nëpër kufijtë e vendit është shqetësimi më i madh i mërgimtarëve që vijnë në vendlindje për festat e fundvitit. Çdoherë ka premtime se kjo çështje do të zgjidhet, por deri më tani nuk është parë ndonjë zgjidhje në terren. Ministri pa portofol i ngarkuar për diasporë, Xhemail Çupi, thotë se kanë një plan për këtë problematikë.

“Jemi në një iniciativë shumë serioze për hapjen e një korsie të posaçme enkas për qytetarët tanë të diasporës”- deklaroi Xhemail Çupi, Ministër pa portofol i ngarkuar për Diasporë.
Sa i përket mungesës së investimeve të mërgimtarëve në Maqedoni, Çupi gishtin e drejton tek mosbesimi i tek institucionet shtetërore.

“Kthimi i besimit të mërgimtarëve të diasporës tonë në institucionet shtetërore, kur themi institucione shtetërore e kam fjalën si tërësi dhe nëse arrijmë të kthejmë besimin tyre dhe t’i bindim ata se ne jemi në rrugën e duhur dhe t’u qëndrojmë ballë kërkesave të tyre”- tha Xhemail Çupi, Ministër pa portofol i ngarkuar për Diasporë.

Përveç se ata që kanë ikur dekada më parë nuk rikthehen me ndonjë investim, migrimi masiv vazhdon edhe tek gjeneratat më të reja.
“Dhe tani meqë ballafaqohemi me largim nga vendi jemi ne ata që duhet të marrim masa konkrete që të që të ndalojmë këtë migracion”- tha Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës.

Ministri Çupi nuk ishte i njoftuar se sa është numri i saktë i mërgimtarëve në diasporë dhe numri i të rinjve që po aplikojnë për viza pune, por tha se në bazë të statistikave të regjistrimit të popullsisë, numri është i lartë.

“Proporcioni shqiptarë-maqedonas në regjistrimin e fundit është diku 65 me 35% që nënkuptohet se dyndja e shqiptarëve në migracion është shumë më e madhe”- tha Xhemail Çupi, Ministër pa portofol i ngarkuar për Diasporë.