Priti 10 vite për të marrë hakun e babait! Djali i Genc Mhillajt me dy kushërinj ekzekutuan çiftin në Lezhë

Hakmarrja dyshohet se është shkaku i atentatit me dy viktima në Balldren të Lezhës ditën e djeshme, 26 prill. Gentjana Mujeci 32 vjeç dhe bashkëshorti i saj, Kreshnik Mujeci, 39 vjeç u ekzekutuan me breshëri plumbash teksa ishin duke lëvizur me automjetin e tyre në aksin Balldren-Torrovicë.

Policia ditën e sotme bëri me dije se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të ngjarjes.

Bëhet fjalë për shtetasit Adriano Mhillaj 22 vjeç, Florin Mhillaj 36 vjeç dhe Renato Mhillaj 23 vjeç, djali, nipi dhe një i afërm i viktimës Genc Mhillaj nga Torovica, i vrarë në vitin 2016.

Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me një konflikt të vjetër gjakmarrjeje, pasi Kreshnik Mujeci në të kaluarën është hetuar për vrasjen e Genc Mhillajt në vitin 2016. Ai ishte arrestuar në vitin 2017 së bashku me vëllain e tij, Lin Mujeci, por më vonë Gjykata e Shkodrës e shpalli të pafajshëm në vitin 2018, duke urdhëruar lirimin e tij.

Po ashtu, edhe vëllai i tij ishte shpallur i pafajshëm për të njëjtën ngjarje.

Hetimet për atentatin e djeshëm vijojnë, ndërsa policia po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.