Irani po ofron heqjen e kontrollit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit pa trajtuar programin e tij bërthamor, kanë thënë të hënën dy zyrtarë rajonalë që kanë njohuri për propozimin, ndërsa ministri i Jashtëm i vendi, Abbas Araghchi po zhvillon një vizitë në Rusi, të cilën e quajti një mundësi për t’u konsultuar me Moskën lidhur me luftën kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Irani gjithashtu dëshiron që SHBA-ja të përfundojë bllokadën ndaj vendit si pjesë e propozimit të tij, kanë thënë dy zyrtarët, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
Propozimi i ri, i përcjellë te Shtetet e Bashkuara nga Pakistan, ka gjasa të mos mbështetet nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili dëshiron t’i japë fund programit atomik të Iranit si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për ta bërë armëpushimin të përhershëm.
“Ne i kemi të gjitha letrat në dorë. Nëse ata duan të flasin, mund të vijnë tek ne, ose mund të na telefonojnë”, ka thënë Trumpi të dielën për Fox News.
Media Axios ka raportuar e para për propozimin e Iranit.
Agjencia shtetërore iraniane IRNA ka thënë se ministri i jashtëm Araghchi ka mbërritur në St.
Petersburg të hënën në mëngjes përpara një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin. Udhëtimi i tij gjatë fundjavës përfshiu dy ndalesa në Pakistan dhe një vizitë në Oman, i cili ndan ngushticën me Iranin.
Vizita e Araghchi vjen ndërsa përplasja midis Iranit dhe SHBA-së në Ngushticën e Hormuzit vazhdon pavarësisht një armëpushimi, duke mbajtur çmimet e naftës të larta.
“Është një mundësi e mirë për ne që të konsultohemi me miqtë tanë rusë për zhvillimet që kanë ndodhur lidhur me luftën gjatë kësaj periudhe dhe për atë që po ndodh tani”, ka thënë Araghchi në një intervistë të publikuar nga IRNA.
Pakistani po punon për rikthimin e bisedimeve të ngecura midis Iranit dhe SHBA-së, dhe negociatat pritej të zhvilloheshin në Islamabad gjatë fundjavës. Por presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar se bisedimet mund të zhvillohen tani e tutje në telefon.
Araghchi ka thënë ndërkaq se ishte qasja e Amerikës që “shkaktoi vonesën e negociatave”.
“Marrëveshja e mëparshme, pavarësisht progresit të bërë, nuk arriti të përmbushë qëllimet e saj”, ka thënë ai, duke fajësuar ato që i quajti “kërkesa të tepruara” nga Uashingtoni.
Trumpi ka vënë në pikëpyetje se kush është aktualisht në krye në Iran dhe ka thënë se konfuzioni brenda sistemit teokratik e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.
Shtëpia e Bardhë javën e kaluar tha se do të dërgonte të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Islamabad për të vijuar bisedimet historike ballë për ballë më herët këtë muaj.
Por Araghchi është larguar nga kryeqyteti pakistanez të shtunën, dhe pak më pas Trumpi ka thënë se e kishte anuluar misionin për shkak të mungesës së përparimit me Iranin.
Bllokimi vazhdon në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon normalisht një e pesta e të gjithë naftës dhe gazit natyror të tregtuar, pasi Irani ka kufizuar lëvizjen përmes saj dhe SHBA-ja po zbaton një bllokadë të porteve iraniane.
Çmimet e naftës janë rritur vazhdimisht që nga fillimi i luftës dhe tankerët plot me naftë bruto kanë mbetur të bllokuar në Gjirin Persik, të paaftë të kalojnë në mënyrë të sigurt nëpër ngushticë dhe të arrijnë në pikat globale të shpërndarjes.



