Prisnin ujë, mbetën edhe pa rrugë! Banorët e Lagjes 146 në Tetovë ende presin nisjen e punimeve

Punët për rrjetin e ri ujësjellës kanë filluar gjatë verës, por banorët e lagjes 146 në Tetovë ende janë pa ujë të pijshëm. Përveç se nuk kanë ujë, lagjja ka mbetur edhe pa rrugë të shtruar, e cila u gropos kur nisën punët për ujësjellësin.

“Edhe pas 4 muajsh kjo lagje vazhdon të ngelet pa ujë të pijshëm, edhe pse komuna e Tetovës nga buxheti i saj ka harxhuar mbi 11 milionë denarë, ndërsa punët në këtë lagje vazhdojnë për 4 muaj rresht”, raporton gazetari i TV21, Senat Zylbehari.

Banorët të revoltuar thonë se kërkuan ujë, e tash mbetën edhe pa rrugë.

“As rrugë, as ujë kërkuam, njërën mbetem pa të dyjat, kështu punohet tek ne, s’ka asnjë punë të sigurt, bëhen paushall, duhet pa mos e bërë njërën mos e bëjnë tjetrën, mundohen njërën, një prishin, dy ndreqin, një prishin dy ndreqin, dy prishin një ndreqin.”

“Rrugën e shini si është as ujë s’ka pasur asnjhërë dhe nuk ka dhe nuk besoj se do vijë, prej verës kan filluar vujet dhe nuk ka”.

“Dimrin e kaluam por sa është nuk më kujtohet, për punimet a për ujin 40 vjet. Ja e shihni nuk mund të hysh as në derë e sheh si mblidhet uji dhe me patarica nuk mund të kalosh u bë ma keq, prisnim më mirë, u bë më keq”.

“Prej kur ka dalë Teuta kështu është, edhe Bilalli tha do e rregulloj do e rregulloj asgjë nuk ka bërë.
-Ujë a keni?
-Jo.”

Nga komuna e Tetovës thonë se punët do të duhet të rifillojnë me përmirësimin e motit.

“Punimet e vendosjes së rrjetit të ujësjellësit në rrugën 146 janë kryer nga kompania Bibaj. Ky projekt ka kushtuar 11 milionë denar (pa Tvsh). Gjatësia e ujësjellësit është 4950 m, ku kanë ngelur vetëm 250 m deri në përfundimin e tij. Punimet për përfundimin e ujësjellësit do të nisin me përmirsimin e kushteve klimatike. Banorët e kësaj rruge janë të furnizuar me ujë, një pjesë furnizimin e kanë nga ujësjellësi i qytetit dhe një pjesë nga burimet vetanake”, deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Për shkak se lagjja 146 nuk ka ujë, banorët kanë gjetur zgjidhje alternative apo burime vetanake, ndërsa një pjesë e tyre mbushin ujë në çezmat publike./TV21