Prishtinë, nesër prezantohet programi i Qeverisë Kurti 2 në Kuvend

Kuvendi i Kosovës do të mbaj nesër një seancë të jashtëzakonshme duke filluar nga ora 10:00, me temën e vetme të rendit të ditës prezantimi i programit qeverisës për katër vjetët e ardhshëm, i miratuar më 7 maj.

Programi qeverisës do të fokusohet në masat për përballimin e pasojave që po lë pandemia, zhvillimin ekonomik të vendit, mbështetjen për bizneset, rritjen e pagës minimale, krijimin e vendeve të punës dhe riorganizimin të skemave sociale.

Prioriteti i parë sipas Qeverisë Kurti 2 është shëndeti në kushtet e pandemisë, ndërsa i dyti ka të bëjë me ekonominë po ashtu në kushtet e pandemisë. Në këtë aspekt, sipas kryeministrit Albin Kurti, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.

Kurti ka thënë se gjatë mandatit të qeverisë së tij do të ketë transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie. Ndërsa ka premtuar reforma në drejtësi ku vettingu do të jetë fjala kryesore e kësaj reforme.

Po ashtu Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës do të bëhen reforma në skemat sociale duke ofruar mbështetje për familje me të ardhura të vogla, shtesa për fëmijë e punësime për moshat e reja. Ai ka premtuar edhe ndërtimin e 160 çerdheve në gjithë vendin, mbështetje financiare për çiftet e reja dhe rritje të pagës minimale në 250 euro.

Ndryshe, opozita ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos publikimin me kohë të planit qeverisës.