Prilepi muze në “qiell të hapur”

“ÇARSHIA E VJETËR“, “SAHAT KULLA”, “HAMAMI TURK” DHE “ÇARSHI XHAMIA”

Shkruan: Prof. Mustafa Ibrahimi

Nëse vizitoni qytetin e Prilepit, së pari ju bie në sy “Çarshia e Vjetër” me “Çarshi Xhaminë”, “Sahat Kullën” dhe “Hamamin turk” që paraqesin të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e qytetit. Në vitin 1528 ekzistojnë 1 xhami, 4 mesxhide dhe 1 hamam, kurse me atë edhe 5 imam, 5 muezina dhe 1 hatib. Nga e gjithë kjo mund të konstatojmë se në fillim të shek XVI qyteti filloj t’a ndryshojë fizionominë e vet si dhe të fitojë një pamje orientale. Nga ky fakt, të krishterët deri vonë e kanë quajtur „Qytet i turqve”. (Шалдевъ 1916:16)

ÇARSHIA E VJETËR

Në vitin 1670 qyteti ka numëruar 200 dyqane (Çelebija 1979:305). Çarshia, sipas dokumentacioneve është djegur dy herë, herën e parë më 1854 kur është djegur edhe ora e qytetit dhe më 1866. (Траичевъ, 1925:.23) Deri në luftërat ballkanike, Çarshia e Prilepit ka numëruar rreth 1500 dyqane të ndara në 38 esnafë. Sot vendin ua kanë marrë butikët dhe arkitektura bashkëkohore. Në Çarshinë e Vjetër janë inçizuar shumë filma dokumentarë dhe filma artistik.

ÇARSHI XHAMIA – e ndërtuar në vitin 1475

Në vetë qendrën e “Çarshisë së Vjetër” gjendet “Çarshi Xhamia”, si e vetmja xhami, nga 14 xhamitë dhe 2 teqet që kanë ekzistuar në vitin 1900, në mesin e të cilëve edhe: Arnaut Xhamia, Tokat Xhamia, Vishnje Xhamia, Orta Xhamia, Xhamia e Thyer, Xhamia e Allajbegut etj., Të gjitha të shkatëruara, përveç “Çarshi Xhamisë” e cila u dogj në vitin 2001, deri sot gjendet nën gërmadha. Është e ndërtuar në kohën e sundimit të sulltan Mehmet II (1451 – 1481). Mbi një pllakë mermeri me alfabet arab shkruan: “Kjo xhami e shenjtë ndërtohet me urdhër të Haxh Huseini i biri i Abdullahut, Viti 880, gjegjësisht 1475. ..”.

SAHAT KULLA – si kulla e shtrembër në Piza

Në Çarshinë e Vjetër të Prilepit ngrihet Sahat Kulla, e ndërtuar në periudhën e viteve 1825/1826 nga Said-Aga. Pjesa e ndërtuar me gurë është e lartë 20,5 metra kurse tërë kulla është e lartë 38,5 metra. Kulla e sahatit është rinovuar në vitin 1858. Karakteristike për Kullën e sahatit të Prilepit është se ajo është e shtrembër sipas vertikales ne anën juglindore të saj. Kulla e Sahatit është shpallur si monument kulture dhe shërben si pikë referimi në qytet. Në pjesën e poshtme, në anën e kundërt të hyrjes, ka një çezme. Mbi derën hyrëse ka një mbishkrim: „Trokitja e orës nuk është gjithmonë shënim i kohës. Për jetën dhe kohën qe kalon, ora ankohet dhe thotë … „Ah …“

HAMAMI TURK — banjë më e bukur në Maqedoninë e Veriut

Në qendrën e Prilepit, gjendet edhe “Hamami turk” ose banjoja publike, një nga më të bukurat në Maqedoninë e Veriut. Ky është një ndërtim i vjetër historik, i ndërtuar kah fundi i shek.17, i cili edhe pse është vënë nën mbrojtjen e Ligjit, si monument kulturoro-historik, është buzë shkatërrimit. Deri më tani nuk janë marrë masa për rekonstruimin, konservimin ose t’i jepej ndonjë qëllim tjetër kulturor. Nëse adaptohet mund të shëndrrohet në galeri të bukur artistike.

Përfundim

Për fat të keq, ky “muze në qiell të hapur” moti e ka humbur identitetin, pamjen, ambientin dhe funksionin e vet. Edhe pse këta objekte, janë të rralla dhe të mbrojtura me Ligj nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike, shumë shpejt mund të ndodh që Prilepi të ngel pa këto monumente kulturore si trashëgimi kulturore!! Renovimi i Xhamisë dhe Hamamit do të jetë në interes të ruajtjes së antikvitetit si një raritet kulturor që ka Çarshia. Në qytet mund të gjeni edhe përmendoret e: Lekës së Madh, Krali Marko, Peco Atanasoski (gajdexhi), Itar Pejos (Çezme) etj.