Presione politike ndaj Gjykatës së Apelit që të mos lirohet Feta Halimi!?

Burime shqiptare në gjyqësorin në Shkup kanë thënë se Gjykata e Apelit po përballet me presione të ashpra që të mos lirohet Feta Halimi, shpëtimtari i Zijadin Selës në ngjarjet e 27 prillit. Sipas tyre kundër Halimit nuk ka asnjë dëshmi të bazuar për ta mbajtur në burg, mirëpo po ushtrohet presion i madh nga një parti politike që ai të mos dalë në liri. “Është e njëjta parti që bëri tradhtinë e Kumanovës në koordinim me Nikolla Gruevskin. Kjo parti bashkë me VMRO-në e Gruevskit organizoi edhe tentimin për likuidimin e Zijadin Selës më 27 prill dhe tani po mundohen të pengojnë lirimin e Feta Halimit. Është e njëjta parti funksionarët e së cilës dëgjoheshin në incizimet e publikuara duke folur me Mijallkovin për zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve”, kanë thënë këto burime duke insistuar të mbeten anonime. Ato kanë premtuar se do të flasin edhe publikisht pas zgjedhjeve dhe “ndryshimeve të pritshme” në kampin shqiptar.
Burime nga gjykata megjithatë kanë thënë se pritet lirim i Halimit për shkak se procesi gjyqësor po monitorohet edhr nga ndërkombëtarët të cilët janë bindur se kundër tij nuk ka asnjë argument për ta dënuar.
“Vetëm presioni eventual i madh mund ta lërë atë në burg edhe më tej”, kanë deklaruar burime shqiptare në gjyqësorin në Shkup.