Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, bën thirrje që në asnjë mënyrë të mos shtyhet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, gjë që do të shënonte edhe nisjen zyrtare të bisedimeve eurointegruese.
Ky apel i Pahorit vjen në kohë kur paralajmërimet e Bullgarisë po vijnë me intensitet gjithë e më të lartë se nuk do të mund të fillojë konferenca e parë ndërqeveritare Shkup-Bruksel, nëse paraprakisht nuk qartësohen çështjet kontestuese mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, siç janë gjuha maqedonase dhe një pjesë e historisë, për të cilat Bullgaria ka dalë edhe me Memorandum drejtuar BE-së.
– Advertisement –
Pahor, si president i një prej 27 shteteve anëtarе të BE-së, tha se e kupton kompleksitetin e çështjes, por shtoi se nëse vlerësohet situata e përgjithshme, shtyrja e konferencës së parë ndërqeveritare mund të sjellë inerci që mund të rrezikojnë interesat jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Këto fjalë, Presidenti slloven Pahor i tha në konferencën e përbashkët për media me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili e priti homologun në Vilën “Vodno” me nderimet më të larta shtetërore.
– Advertisement –
Borut Pahor kërkoi që përmes kanaleve më të heshtura diplomatike, është shumë e rëndësishme të gjendet rrugë që konferenca ndërqeveritare të mbahet. Ai madje si mik i kërkoi si Presidentit të Maqedonisë, po ashtu edhe atij të Bullgarisë që të mos humbet shansi për nisje sa më të shpejtë të bisedimeve aderuese mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Pahor tha se Sllovenia do të ndihmojë aq sa mundet.