Presidenti kroat, Milanoviq i përgjigjet Vuçiqit: Kosova është çështje e kryer

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se shtimin e forcave ushtarake kroate në Kosovë nuk e shohin si provokim ndaj Serbisë.

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Kroacia po “poshtëronte Serbinë” duke rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it, presidenti kroat tha se nëse do ta dinte se Serbia shqetësohej aq shumë, do të kishte biseduar me homologun serb, raporton HRT.

Ditë më parë, ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, paralajmëroi ngritjen e një kampi ushtarak në Kosovë për “stabilitet të rajonit”. Kjo nuk u prit mirë në Serbi, që e cilësoi provokim nga ana e Kroacisë.

“Ushtarët kroatë janë kryesisht atje për të mbrojtur Kroacinë, dhe format e tjera të bashkëpunimit janë të dëshirueshme. Kosova është njohur nga i gjithë Bashkimi Evropian, përveç pesë vendeve, kështu që kjo është një marrëveshje e kryer, nuk është një provokim për Serbinë”, tha fillimisht presidenti kroat.

Ai më tutje deklaroi se çështja e pavarësisë së Kosovës ka çuar në luftëra dhe se kjo po bëhet për konsum të brendshëm në Serbi.

“Ata nuk dinë si të dalin nga kurthi ku e kanë futur veten 30 vjet më parë. Çështja e pavarësisë së Kosovës ka çuar në luftëra. Vazhdimisht po manipulojnë me këtë. Është një mënyrë që përdoret për të mbajtur në tension votuesit e tyre”, tha ndër të tjera i pari i shtetit të Kroacisë.