Presidenti amerikan Joe Biden bëri thirrje në mbrëmjen e së mërkurës për të vepruar lidhur me kontrollin e armëve, por ndonjë masë konkrete mbi këtë çështje në Kongresin e ndarë thellësisht është shumë e vështirë që të miratohet.
Sulmi në shkollën fillore në Teksas, ku vdiqën të paktën 19 nxënës dhe dy të rritur, ishte i 213-ti në SHBA për këtë vit, sipas një baze të dhënash të drejtuar nga “Gun Violence Archive (GVA)”, citon “CGTN”. Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm 10 ditë pas sulmit në Buffalo, Nju Jork, ku 10 persona u vranë në një supermarket.
” Asnjë fëmijë nuk mendon se mund të vritet kur është në shkollë.” Kështu tha i emocionuar të martën senatori demokrat Chris Murphy në fjalimin e tij në Senat.
Kjo është një tragjedi e trishtuar dhe tronditëse. Ky është gjithashtu sulmi me të shtëna në një shkollë në Shtetet e Bashkuara që ka shkaktuar më shumë viktima, që nga “Sandy Hook” një dekadë më parë.
Sipas një raporti të publikuar ditët e fundit nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, nga viti 2000 deri më 2020, prodhuesit amerikanë të armëve kanë prodhuar 139 milionë armë për tregun civil, 1.13 milionë prej të cilave vetëm në vitin 2020. Në pamje të parë, kontrolli i armëve është shumë i vështirë në ShBA, për shkak se nuk është e lehtë të ndryshojë amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane.