Presidenti i Ukrainës optimist për takimin e negociatorëve në Turqi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e përshkroi si “jo të keq” raundin e ri të bisedimeve ballë për ballë midis negociatorëve rusë dhe ukrainas që pritet të mbahet në Stamboll.

“Një raund i ri negociatash është para nesh sepse ne po kërkojmë paqe, me të vërtetë, pa vonesë. Siç u informova, ka një mundësi dhe nevojë për një takim ballë për ballë në Turqi. Kjo nuk është keq. Le të shohim rezultatet”, tha ai në një video-fjalim të publikuar mbrëmë vonë nga zyra presidenciale.

“Prioritetet tona në negociata janë të njohura. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës nuk vihen në dyshim”, tha ai.

Zelenskyy nënvizoi se “garancitë efektive të sigurisë” për Ukrainën janë “të detyrueshme”.

“Qëllimi ynë është i qartë, paqja dhe rivendosja e jetës normale në shtetin tonë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Ai theksoi se sanksionet kundër Rusisë, “kundër agresionit”, janë të nevojshme për sa kohë që trupat ruse mbeten në territorin e Ukrainës.

“Java është planifikuar të jetë shumë e ngarkuar, kështu që askush nuk do të jetë në gjendje të fshehë interesin ukrainas diku në zyrat politike”, tha Zelenskyy.

Takimi i radhës i ekipeve negociuese ruse dhe ukrainase do të mbahet në Stamboll, sipas një dakordimi të arritur dje midis presidentëve turk dhe rus.

Në një bisedë telefonike, presidentët Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin diskutuan zhvillimet e fundit dhe proceset e negociatave në luftën Rusi-Ukrainë, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë.

Duke theksuar nevojën për një armëpushim dhe paqe të menjëhershme midis Rusisë dhe Ukrainës, si dhe hapat për përmirësimin e situatës humanitare në rajon, Erdoğan tha se Turqia do të vazhdojë të japë çdo lloj mbështetje për këtë proces.

Nuk u dhanë data për takimin.