Presidenti i Bayernit shokon të gjithë me trajnerin e ri që do ta marrë drejtimin e klubit: Ai është një ekspert i shkëlqyer

Pas përfundimit të gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampionëve ndërmjet Bayern Munich dhe Real Madridit, e mbyllur 2:2 të martën mbrëma në “Alianz Arena”, presidenti i gjigantit bavarez, Herbert Hainer, ka konfirmuar bisedimet me trajnerin e ri që do të zë vendin e Thomas Tuchel për edicionin e ri.

Ai konfirmoi për herë të parë negociatat me trajnerin Ralf Rangnick, i cili momentalisht është selektor i Kombëtares së Austrisë.

“Jemi në diskutime shumë të mira me Rangnick, mirëpo duhet të presim edhe disa ditë për të parë nëse marrëveshja do të finalizohet”, deklaroi Hainer për “Sky”.

“Ai është një ekspert i shkëlqyer i skenës së futbollit botëror. Ka aftësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar futbollistët dhe skuadrën”, deklaroi Hainer.

“Ajo që po bën te Austria është fantastike. Nëse ai do të vinte, do të ishte një zgjedhje shumë e mirë për ne. Shpresoj që nuk do të vonojë shumë”, shtoi Hainer.

Në të kaluarën Rangnick ka punuar me disa futbollistë të Bayernit, si me Manuel Neuer te Schalke në vitin 2011, më pas me Joshua Kimmich dhe Dayot Upamecano te Leipzig dhe momentalisht me Konrad Laimer, i cili aktivizohet te Kombëtarja e Austrisë.

Sipas gazetës gjermane “Bild”, problemi i vetëm qëndron te fakti që Federata e Futbollit të Austrisë kërkon një dëmshpërblim të majmë për të liruar 65-vjeçarin, i cili është nën kontratë.

Sigurisht që emërimi i Rangnick është një befasi e madhe pasi emri i tij nuk është përfolur më herët dhe emrat që qarkulluan ishin si Zinedine Zidane, Jurgen Klopp, Julian Nagelsmann apo Roberto de Zerbi.