Presidenti çek shtrohet në spital, mund të ndikojë në formimin e qeverisë së re

Presidenti çek Milos Zeman u dërgua me urgjencë në spital të dielën, një ditë pasi vendi mbajti zgjedhjet parlamentare në të cilat partia e kryeministrit populist Andrej Babis doli e dyta. Zoti Zeman ka një rol kyç në krijimin e një qeverie të re.

Roli i presidentit është kryesisht ceremonial, por ai ka të drejtë të zgjedhë se cili udhëheqës politik duhet të nisë përpjekjet për formimin e qeverisë së ardhshme. Më herët të dielën, zoti Zeman u takua me zotin Babis, aleatin e tij të ngushtë, por kryeministri nuk bëri asnjë koment pas takimit.

Të shtunën, partia e qendrës ANO (Po) e udhëhequr nga zoti Babis, një miliarder populist, humbi me rezultat të ngushtë zgjedhjet parlamentare, të cilat mund të shënojnë fundin e pushtetit të udhëheqësit euroskeptik në vendin e Bashkimit Evropian prej 10.7 milionë banorësh.

Një koalicion tre-partish liberal-konservatore, i quajtur “Së bashku” mori 27.8% të votave, duke mposhtur partinë e zotit Babis, i cili fitoi 27.1% të votave. Një koalicion tjetër liberal i qendrës së majtë mori 15.6% të votave duke dalë i treti në zgjedhje, çfarë shihet si një tjetër goditje ndaj populistëve,

Koalicioni fitues ka arritur të sigurojë 71 vende ndërsa partneri i tij i vendit të tretë 37 vende, çfarë u siguron atyre një shumicë të fortë prej 108 vendesh në dhomën e ulët të Parlamentit me 200 vende. Dy koalicionet u zotuan të punojnë së bashku mbrëmjen e së shtunës. Zoti Babis ka fituar 72 vende, gjashtë më pak se në zgjedhjet e vitit 2017./VOA/

Top Channel