“Dikur Deltari Ilir, tani, qentë e Sharrit. Një racë shumë e veçantë e qenve të malit Sharr, që njihen për aftësitë e tyre për të ruajtur delet, por edhe për fuqinë e madhe që kanë për të luftuar. Thjeshtë thënë, një armë e fortë për çobanët”
Njohësit e kësaj race, thonë se është ndër më të mirat, dhe ndër më të kërkuarit në botë, ndërsa shteti nuk bën asgjë për ti ruajtur, raporton Alsat.
“Është një ndër rojtarët më të mirë, që kërkohet në Bashkimin Evropian, në Azi në Amerikë, në çdo vend të botës. Është një ndër qentë më besim për njerëzit, për kafshët për gjithçka. Ai duhet të mbrohet me çdo kusht shteti duhet të bëj një investim kapital”- thotë Rami Selmani, veteriner.
Mbrojtjen me ligj dhe kultivimin e kësaj race, Bashkimi Demokratik për Integrim, e vendosi edhe në programin parazgjedhore 2016-2020, madje duke nënvizuar, sperma e qenit të Sharrit, duhet të ngrihet dhe të ruhet, që të mos zhduket si racë.
BDI për mbrojtjen e qenit të Sharrit
“Do të synojmë ruajtjen e spermës dhe embrioneve të ngrira të kësaj race fisnike që do mund të aktivizohen pas 50 apo 100 viteve, pasi që të shkrihen dhe përdoren për riprodhim, si mënyrë e mbrojtjes nga zhdukja eventuale”, shkruan në programin e BDI-së për mandatin që po e përfundojnë.
Por, sa u mbajt ky premtim? Edhe përkundër zotimeve madje të përfshira edhe në programin partiak si pasuri kombëtare, Qeni i Sharrit vazhdon të trajtohet si racat e zakonshme, pa mbrojtje me ligj dhe pa ia ngrirë farën, për ta mbrojtur atë nga zhdukja eventuale…
“Dhe kjo është një fatkeqësi që mund ta themi hapur se ne në Maqedoni nuk dimë të tregojmë për vlerat e qenit të Sharrit, kurse del një shtet tjetër që krenohet me qenin e Sharrit por që s`ka të bëj fare me të”- thotë Rami Selmani, veteriner
Nga Lidhja kinologjike kërkuam përgjigje nëse Qeni i Sharrit është regjistruar si racë autoktone e qenve në Maqedoni dhe a ekzistojnë dispozita ligjore për ruajtjen e pastërtisë së racës. Nga atje thonë se Qeni i Sharrit është regjistruar në Federatën Botërore kinologjike, ndërsa primatin për vend amë të Qenit të Sharrit e ndajnë Maqedonia dhe Serbia. Nga ky Institucion pranojnë se në Maqedoni nuk ka rregullativë ligjore për ruajtjen e racës. Në vitin 2019 në vend kanë qenë të regjistruara 59 familje të qenve të sharrit, por nuk ka regjistrim zyrtar se sa qenë të Sharrit ka në vend./Alsat