Premtime për avancim në këmbim të favoreve seksuale, kërcënime dhe ngacmime – të dhëna tronditëse nga 26 shkolla në Maqedoni

Prekje të padëshiruara, premtime për avancim në karrierë në këmbim të favoreve seksuale dhe kërcënime për hakmarrje. Këto janë disa nga format më të rënda të ngacmimit seksual në shkolla, të evidentuara nga një hulumtim i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD).

Hulumtimi, i realizuar me 1.057 të punësuar në 26 shkolla në Maqedoninë e Veriut, tregon se gratë janë deri në 4,6 herë më të prekura nga ngacmimet seksuale, ndërsa personeli teknik është pothuajse tri herë më i ekspozuar sesa mësimdhënësit.

Veçanërisht shqetësues është fakti se 9 për qind e punonjësve teknikë, ose rreth një në 11 persona, kanë përjetuar prekje fizike të padëshiruara.

Forma më e përhapur e ngacmimit janë shakatë fyese me përmbajtje seksuale, të raportuara nga 5,5 për qind e të anketuarve, përkatësisht një në 18 punonjës.

Komisioni paralajmëron se sjellje të tilla shpesh minimizohen si shaka të padëmshme, megjithëse cenojnë dinjitetin e punonjësve.

“Shaka është kur qeshin të gjithë. Kur dikush hesht, skuqet ose largohet nga dhoma, kjo është ngacmim”, theksojnë nga Komisioni.

Nënkryetari i KPMD-së, Zekir Abdulov, kërkon që institucionet arsimore të garantojnë siguri dhe dinjitet për të gjithë të punësuarit.

“Shkolla duhet të jetë vend i sigurt jo vetëm për nxënësit, por edhe për secilin që punon në të. Ngacmimi seksual nuk është shaka dhe as problem privat – është diskriminim i ndaluar me ligj”, deklaron Abdulov.

Ai rikujton se ligji i detyron punëdhënësit të ndërmarrin masa për parandalimin e ngacmimeve dhe krijimin e një mjedisi pune pa sjellje poshtëruese, fyese apo me karakter seksual.