Prekazi, vend ku u vulos shteti i Kosovës

Në 22 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së, komuna e Skenderajt dhe ajo e Drenasit kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Këto dy komuna përmes këtij veprimi po synojnë që të tregojnë nevojën që të gjithë politikanët në Kosovë të jenë të bashkuar.

Kreu i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se vetëm të bashkuar mund të ecin përpara dhe në rrugën e drejtë siç deshën dëshmorët.

“Duke i nderuar me respektin më të lartë dëshmorët e vendit tonë, duke u ndjerë krenarë me veprat e tyre, por duke u zotuar dhe duke marrë forcë dhe kurajo që neve të jemi të bashkuar dhe të ecim përpara në rrugën e drejtë dhe të pastër për vendin tonë ashtu siç deshën ata”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bëri apel që të gjithë politikanët të jenë unik në vendim et që e presin Kosovën.

“Ne tashmë e kemi bërë traditë që “Epopenë e Jasharajve”, me 5, 6 dhe 7 mars ta kremtojmë bashkërisht. Edhe dje edhe sot kemi qenë në aktivitete të cilat organizohen me këtë rast. Ne si dy komuna po punojmë që ta jetësojmë amanetin e heronjve, amanetin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij. Ne sigurisht në këto ditë bëjmë apel tek të gjithë politikanët që të jenë unik në vendimet që po i pret Kosova, sepse me 4 qëndrime jemi pak si Kosovë që të shkojmë me 4 qëndrime”, tha ai.

Kryetari i shoqatës së Veteranëve të Kosovës, Hysni Gucati, së bashku me bashkëluftëtarë ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Me këtë rast ai tha se në këtë vend u vulos shteti i Kosovës.

“Ajo luftë ka qenë një luftë e drejtë, e pabarabartë me forcat serbe qetnike, kështu që ne sot kemi arsye të madhe pse ta festojmë përmes dhimbjes dhe familjes dhe ne bashkëluftëtarët duhet ta gjejnë krenarinë e kombit. Kjo është krenaria e kombit, familja Jashari, ne sot kemi arsye të madhe që ta festojmë se në këtë vend u vulos shteti i Kosovës dhe u vulos drejtësia e Kosovës”, tha ai.

Homazhe kanë bërë edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.