Prej nesër transportuesit privat do të kyçen në qarkullim me 105 autobusë

Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) Shkup, njofton se sot është nënshkruar marrëveshje me transportuesit privat, ndërkaq prej nesër do të qarkullojnë 105 autobusë, transmeton Portalb.mk.

“Transportuesit privat do t’i shërbejnë linjat transportuese: 23, 45, 61, 63, 73, 9, 11, 11A, 12, 47A, 55, 19, 20, 22, 52, 54 me 105 autobusë modern të cilët i plotësojnë standardet ekologjike, në pajtueshmëri me thirrjen publike”, thuhet në njoftimin e NQP-së.

Ata shtojnë se me këtë, “qytetarët do të marrin shërbim cilësor dhe në kohë, ndërkaq buxheti i Qytetit të Shkupit do të mbrohet nga keqpërdorimet që në të kaluarën kanë qenë praktikë”.

Ndryshe, transportuesit privatë pushuan së qeni pjesë e transportit publik të qytetit në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante Qyteti i Shkupit. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, më shumë se 100 autobusë të parkuar në udhëkryqet kryesore bllokuan kryeqytetin.

Në ndërkohë, autoritetet e qytetit i hodhën poshtë pretendimet se u kishte borxh, por nga kontrolli rezultoi se Qyteti i Shkupit e ka gabim.

Ndërkaq, kryetarja Arsovska akuzoi transportuesit privatë se kanë bërë tarifa për pesë vjet dhe nuk kanë raportuar asnjë biletë të shitur. Siç theksoi ajo, dy kompanitë private publike të qytetit “Makekspres” dhe “Sloboda prevoz” në pesë vitet e fundit, përkatësisht nga viti 2017 e deri më sot, nuk kanë regjistruar asnjë biletë të shitur në autobusët që lëvizin për dy shoqatat, edhe pse kanë paraqitur se kanë vozitur rreth 400.000 kilometra në muaj dhe për këtë kanë llogaritur nga një euro për një kilometër të kaluar të cilën ia kanë faturuar NQP-së.

Bllokada e autobusëve privat në Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Bllokada e autobusëve privat në Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Kjo u pasua nga kërcënimi për padi për shpifje nga kompanitë private.

Qyteti i Shkupit në pjesën e parë të prillit të këtij viti, për herë të katërt shpalli thirrje publike për ndarjen e pakos së linjave dhe për dhënien e lejeve për transport të linjave të udhëtarëve në transportin publik të Shkupit. Kjo ishte thirrja e katërt për angazhimin e sërishëm të transportuesve privat në linjat urbane-periferike, pasi nuk pati sukses thirrja e marsit.

Thirrja ka të bëjë në lidhje me 16 linja, gjegjësisht për numrat 9, 11, 11A, 12, 19, 20, 22, 23, 45, 47A, 52, 54, 55, 61, 63 dhe 73. Për mirëmbajtjen e këtyre linjave transportuesit duhet të sigurojnë 115 autobusë dhe 245 shoferë. Afati përfundimtar për dorëzimin e paraqitjeve nga ana e transportuesve privat ishte më 24 prill.