“Portret i një dijetari”

Prof. Dr. Nebi Dervishi

(Prof. Dr. Shukri Rhahimi (1 maj 1925 – 09.03.2021)

Në mëngjesin e nëntë marsit të vitit 2021, në moshën 96 vjeçare ndërroi jetë dhe shkoi në botën e amshuar Profesor Shukri Rrahimi. Herët në mëngjezin e kësaj ditë cigërroi telefoni. Në anën tjetër ishte Iliri që në fillim me një zë të shterur pa e zgjatur më tha: “Babai ndërroi jetë. Është vdekje e bukur sepse pas vetes ka lënë shumë vepra të mëdha”. Kështu ma përshkruan ndarjen nga jeta të babait, Ilir Rrahimi, dhe e vazhdoi bisedën “Nebi i dashur! Po të lajmëroi për këtë, sepse Ju e respektonit shumë, por, edhe ai nuk të lëshonte nga goja për kujdesin dhe respektin që kishte. Babai ka ndërruar jetë mbrëmë, natën duke gdhirë dita e martë, pas shumë vuajtjeve natyrore, domethënë siç ishte pleqëria e thellë. Ne i kemi qëndruar aty pranë gjithë ditët e fundit. Varrimi do të bëhet sot pas dite, në varrezat familjare në Butell të Shkupit, pas namazit të iqindisë….”

Raca e dijetarëve, ku hyn padyshimi më të vogël edhe personaliteti i prof. Shukri Rrahimit, është një racë durimtarësh dhe e plotfuqishme. Sipas një parabolle të filozofit romak Seneka, përgjithësisht “dijetarët e jetojnë jetën e tyre larg bujës dhe publicitetit të dyshimtë, largë pushtuesve politike dhe përfitimeve tipologjike të administratës shtetërore”.

Dijetarët janë gati si të padukshëm, pikërisht se janë më të dukshëm nga të gjithë. Dijetarët nuk përmenden sepse ata jo vetëm janë kujtesë, por janë vetë substancë e kujtesës. Dijetarët nuk përfillen, por në thelb ata janë autoritetet e vërtetë të kombit.

Ka gati dy vjet që profesor Shukri Rrahimi vuante nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Mediumet elektronike vizuele e të shkruara me ndonjë përjashti, nuk i dhanë publicitet kësaj figure emblematike të historiografisë shqiptare dhe ballkanike.

Dhe ja një nga dijetarët të mëdhenj të Shqipërisë, profesori dhe miku im i vjetër gati për 50 vjetë, Shukri Rrahimi sëmuret rëndë dhe apsolutisht nuk kishte shqetësimin më të vogël nga Bota mediatike, me përjashtim të Shoqatës së Historianëve Shqiptar në Maqedoni të cilët ia kushtuan profesor Shukri Rrahimit një numër të veçantë të Revistës “Kërkime Historike”, Nr. 2. Shkup, 1996.

Vetëm pak miq dhe ish nxënës e ish student tërë këto vite i shkuan për vizita, padyshim njerëz të thjeshtë e të vërtetë të cilët e respektonin dhe merakoseshin sinqerisht për shëndetin e tij. Personalisht shkoja shpesh në vizitë te Profesor. Këtu nuk dua të keqkuptohem dhe të trumbëtojë se sa e ç‘moja këtë personalitet, e të tjerët nuk arrinë që ta respektojnë…

Për ta rrumbullaksuar figurën e profesor Shukriut, do të japim në vazhdim të dhënat e shkurtëra biografike dhe kontributi në historiografinë shqiptare. Prof. Dr. Shukri Rrahimi u lind më 1 maj, të vitit 1925 në fshatin Nesallcë, të Bujanocit në Kosovën Lindore. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe shkollën e mesme e kreu në Shkup e Pejë, kurse Shkollën e lartë në Nish – drejtimi Histori – Gjeografi. Gjatë gjithë kësaj kohe, njëkohësisht punonte fillimisht si mësues, e më pas si inspector I arsmit në komunën e Bujanovcës.

Prej vitit 1957 Profesor Shukriu u shpërngul në Shkup ku krahas punës së rregullt të pedagogut në Shkollën Normale “Liria” (Zef Lush Marku”), vazhdoi studimet në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Kiril e Metodi”, në Shkup, në degën e historisë, ku u diplomua në vitin 1962.

Në vitin 1965 profesor Shukri Rrahimi u zgjodh ligjërues i lëndës së historisë në Akademinë Pedagogjike në Shkup, ku punoj një kohë të gjatë, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në ngritjen e brezave të rinj të arsimitarëve nga viset e ndryshme të Kosovës, Kosovës Lindore (Lugina e Preshevës) dhe Maqedonisë.

Krahas punës së pedagogut, profesor Shukriu, prej kohësh shfaqi interesim për studimin dhe thellimin e njohurive mbi të kaluarën e popullit tonë. Kështu, që nga fillimet e viteve ’60 të shekullit XX ia filloi punës shkencore – kërkimore në Arkivin e Maqedonisë, e më pas në ato të Serbisë, Vjenës, Sarajevës, si dhe në Tiranë, duke pasur gjithnjë si objektiv kryesor hulumtimin dhe studimin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Si rjedhojë e punës së gjatë hulumtuese kërkimore – shkencore në arkivat e lartëpërmendura dhe konsultimit të literaturës relevante, prof. SHukri Rrahimi, që nga vitit 1962 filloi t’i dilnin në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe në Kosovë, si: në “Jehona”, “Përparimi”, “Gjurmime albanologjike”, “Vjetari i Arkivit”, “Flaka e Vëllazërimit”, etj. poashtu, ai publikoi punime edhe në revistat që dilnin në gjuhën maqeodnase: “Glasnik”, i JNI-t, “Istorija”, etj. në Shkup, si dhe në gjuhën serbokroateL “Jiç“, “Nastova Poviesti”, etj.

Krahas punimeve të publikuara në faqet e revistave të përmendura, si rrjedhojë e punës kërkimore – shkencore disavjeçare, më 1969, botoi monografinë e parë me titull “Vilajeti i Kosovës”, S’ka dyshim se kjo vepër është përpjekja e parë ndër ne për ta trajtuar gjithanshëm Vilajetin e Kosovës, prej themelimit e deri në kalimin e tij nga pushtuesit osman nën pushtetin serbo – malazezë, pas Luftës së Parë Ballkanike. Kujtojmë këtu se autori me këtë monografi, duke u mbështetur kryesisht në burimet e proviniencës serbe ia doli, për herë të parë, të hedhë dritë në shumë çështje të trajtuara. Vlen të theksohet se kjo vepër u mirëprit nga studjuesit tanë, nga intelektualët dhe, përgjithësisht nga masa e gjërë e lexuesve në të gjitha viset e banuara me shqiptarë në ish- Jugosllavi e në diasporë.

Suksesi që i solli vepra e parë (Vilajeti i Kosovës), mbase i dha nxitje autorit për të vazhduar edhe më me ngulm punën e mëtutjeshme kërkimore – shkencore, për të studjuar epokën e Rilindjes Kombëtare. Si rrjedhojë e kësaj pune të palodhshme, në vitin 1971, botoi monografinë e dytë “Rilindja dhe Emancipimi Kombëtar:, e cila vepër paraqet një sintezë të arritjeve të deriatëherëshme. Prof. Dr. Shukri Rrahimi në sajë të veprave dhe punimeve të shumta të botuara iu mundësua të mbronte temën e disertacionit, pa iu nënshtruar procedurës së magjistraturës, siç ishte rregulli me kandidatët e tjerë, ku një kontribut të veçantë do të jep Akademik Ali Hadri. Kështu, në vititn 1972, mbrojti me sukses tezën e tij të disertacionit para komisionit të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, me titull “Lufta e Shqiptarëve për autonomi (1897 – 1912)”. Kjo kryevepër e Prof. Dr. Shukri Rrahimi, e mbështetur në burimet arkivore dhe literaturën relevante, s’ka  dyshim se paraqet një kontribut me vlerë për historiografinë shqiptare të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Me këtë vepër autori ia ka dalë të trajtojë dhe të ndriçojë aspekte të luftës së popullit shqiptar për sendërtimin e autonomisë, që nga periudha e Lidhjes së Prizrenit e deri në Luftën e Parë Ballkanike dhe rënien e Vilajetit të Kosovës dhe viseve të tjera të trevave lindore nën okupimin serbo – malazezë. Përmes provave të mbështetura në burime, ia del me sukses të nxjerrë në pah luftën e popullit shqiptar nën udhëheqien e princave të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që të luftonte në dy fronte: kundër sundimit osman për realizimin e autoktonisë së Shqipërisë, në një anë , dhe, fqinjtë, të cilat të përkrahura nga Fuqit e Mëdha, në radhë të parë nga Rusia e Franca bënin çmos për t’u zgjeruar në dëm të tërësisë etnike të Shqipërisë. Ai njëkohësisht ia del të hedhë posht tezën e paqëndrueshme të historiografisë serbe se Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte vegël e Portës së Lartë, apo tezën se shqiptarët nuk ishin të aftë për të qeverisur, prandaj i arsyetonin synimet shoveniste të shteteve të tyre për coptimin e trojeve etnike të Shqipërisë dhe shlyerjen e saj nga harta gjeografike e Gadishullit Ilirik.

Nga viti 1971, Prof. Dr. Shukri Rrahimi do të jetë profesor i rregullt në katedrën e historisë në Fakultetin Filozofik të Universiteti të Kosovës, ku edhe unë, hartuesi i këtij portreti për një dijetar” pata fatin që ta kemë ligjerues  të disa lëndëve.

Është i madh numri i nxënësve të tij në Normalen “Liria”, në SHkup, të studentëve në Akademinë e Lartë Pedagogjike në Shkup dhe të atyre të Universitetit të Prishtinës që s’e harrojnë kurrë profesorin e historisë.

Mësimet (leksionet) që spjegonte ai bëheshin dije e përjetshme. Në kohën kur arsimtarët fare rallë zbritnin nga katedra, ai i shkruante pikat kryesore të ligjeratave në tabelë, bënte skica, vizatime, sillte literaturën të cilën ua rekomandonte nxënësve ose studentëve. Për këtë arsye, nuk do të jetë i vogël numri i nxënësve e studentëve që pikërisht prej tij do të frymëzohen t’i kushtohen punës shkencore. Në revistën “Jehona” po edhe në “Përparimin” jo rrallë maturantëve dhe studentëve u botoheshin punimet e diplomës sepse aty ishte edhe prof. Shukri Rrahimi. Disa prej autorëve të këtyre punimeve sot janë studjues të shquar të historisë, të letërsisë të pedagogjisë etj. Ai do të luaj rol të madh si profesor e ligjërues së bashku me Akademik Ali Hadrin, prof. Masar Kodrën, prof. Skender Rizën, Prof. Zef Mirditën, prof. Masar Rizvanolli, prof. Qamil Gexhën, Prof. Muhamet Tërnova, Emin Pllanën, Jahja Drançollin,  e të tjerë së bashku që kontribuan për formimin e kuadrit shkencor të historisë.

Është me të vërtetë i madh numri i magjistrantëve, i doktorantëve, i hulumtuesve në institutet tona shkencore, që si historian janë ndërtuar edhe nën kujdesin e profesor Shukri Rrahimit. Duke ia dhënë historisë dinjitetin e dijes, ai së bashku me kolegët e tjerë të katedrës së historisë në Prishtinë, janë kujdesur që të krijojnë kuadrot të cilët atë dinjitet do ta përforcojnë me studimet e temave e të çështjeve të ndryshme hisotirke, duke parë prej këndesh të ndryshme studimore….

Duhet të theksohet me këtë rast, edhe kontributi i prof. Dr. Shukri Rrahimit në polemikat shkencore që zhvilloi me historian të huaj për t’u vënë në mbrojtje të historiografisë shqiptare. Në këtë kuadër, në veçanti vlen të përmendet përgjegjja që ia bënë së bashku e Profesor Zeqiria Canën vërejtjeve të Bogomil Hrabakut dhe Dushan Batakoviqit nga Instituti i Historisë së Serbisë për librin “Albanci” (botuar sllovenisht më 1986). Përgjigjia e mbështetur në argumentet të qëndrueshme shkencore, kundrejt tezave të paqëndrueshme të autorëve të përmendur dhe përgjithësisht histiografisë serbe, prapa së cilës qëndrone e tërë Akademia e Shkencave dhe Arteve ë Serbisë në “Francuska7”, që për rrehanat e atëhershme ishte guxim jo i vogël intelektual, t’i bësh sfidë, në fakt, politikës zyrtare serbe. Kjo për faktin se asnjëri nga autorët e apostrofuar të librit “Albanci” nuk pati guxim t’i përgjigjej shpifjeve dhe trillimeve djallëzore të Bogomil Hrabrakut, i cili ishte vënë këmbë e krye në lojën e politikës shoveniste serbomadhe.

Prof. Dr. Shukri Rrahimi dha kontributin e tij të vlefshëm me pjesëmarrjen e tij me kumtesa e trajtesa në konferenca shkencore, simpoziume, tribuna e tryeza të rrumbullakta, të organizara në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, etj., të cilat u mirëpritën nga qarqet e mirënjohura shkencore.

Gjithashtu, Profesor Shukriu dha një kontribut të jashtëzakonshëm në cilësinë e kryeredaktorit e redaktorit të revistave shkencore si “Jehona”, “Gjurmime Albanologjike seria historike”, “Kërkime historike”, etj., si dhe dha një kontribut edhe në përpilimin e teksteve shkollore të Kosovës, nga lënda e historisë. Prof. Dr. Shukri Rrahimi më shumë se 6 dekada, krahas punës së tij prej mësuesi, pedagogu ku do të angazhohet, do t’i përkushtohet me gjithë qenien e tij punës kërkimore – shkencore për studimin e historisë së një epokë sa të rëndësishme po aq edhe me përgjegjësi. Po të ndiqet me kujdes veprimtaria e tij në këtë sferë, mund të vërehet se ai gjatë gjithë kësaj periudhe ia doli të arrij rezultate gjithnjë të mira, t’i thellojë e zgjerojë njohuritë në kërkimin dhe ndriçimin e të vërtetës në historinë tonë. Kontributi dhe vendi i tij në historiografinë tonë është i një rëndësie jo të vogël, për çka flasin vetë veprat e tij monografike si dhe qindra punime nëpër revista e gazeta, të cilat do të lënë gjurmë në historiografinë tonë. Nga ajo që u tha deri tani,mund të thuhet se ai qe ndër pionerët e historiografisë shqiptare në Maqedoni dhe në Kosovë, përkatësisht në Trevat Lindore e Verilindore shqiptare, duke dhënë njëherit kontributi e tij të ç‘mueshëm edhe në ndriçimin e aspekteve të ndryshme të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Gjeneratave të ardhëshme u mbetet ta vlerësojnë gjithanshëm kontributin e Prof. Dr. Shukri Rrahimit, duke ia siguruar edhe vendin e merituar në historiografinë tonë si doajeni i saj, duke i vënë themelet e saja.

Portreti i dijetarit do të jetë i mangët mendojmë nëse nuk theksojmë se Prof. Dr. Shukri Rrahimi në vitet 90 të shek. XX, për ca vite do të zgjidhet deputet në legjislacionin e parë në Parlamentin e Maqedonisë, nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD)

Të dhënat e mësipërme janë gurët e kilometrazhit të rrugëtimit jetësor të historianit Shukri Rrahimi. Librat dhe punimet shekncore janë të botuara, pra, të hapura për syrin e lexuesit dhe janë të tjerët ata që lexojnë nesër, që do të bëjnë vlerësimin e patjetërsueshëm të figurës së profesor Shukriut. Në këtë portret të një dijetari, apo shkrim lakonik unë kam për qëllim dhe njëherit dëshiroi të skalis më shumë afërsinë (intimitetin) dhe njohjen personale me profesorin. Ka gati gjysëm shekulli, që nga vitit 1972 që e kamë takuar dhe njohur për herë të parë dhe nga afër. Pasi mbarova studimet në Universitetin e Prishtinës në vitin 1978, ku pata nderin të jem edhe student i Profesor Shukriut. Kam vajtur shpesh në shtëpinë e tij karakteristike njëkatëshe (përdhese) në lagjen e Gazi Babës, në Shkup, ku ishte e gjallë dhe e pranishme një mikëpritje e lashtë tradicionale gërshetuar me të renë, një dashamirësi e hollë dhe një ngrohtësi njerëzore e përhershme…..

Profesor Shukriu do të jetë në vazhdimsi edhe pas vdekjes një lapidar i gjallë e fisnikërisë së shpirtit, e mençurisë dhe e burrërisë së kombit shqiptar. Moment që sot e përcjellim Profesor Shukriun në botën e amshuar është i veçantë dhe një rast i mirë për t’i shprehur nderimet dhe mirënjohjet tona ( ish-nxënësit, ish-studentët, miqtë dhe dashamirët e tjerë të tij), për veprimtarinë e tij të palodhur e të dendur dhe për rrezatimin e saj këndellës në botën intelektuale shqiptare.

Ky moment njëkohësisht është edhe një rast për të njohur vlerat e vërteta e të pavdekshme të njeriut, studjuesit, historianit dhe dijetarit, për të ndjekur shembullin e tij dhe për ta gjetur frymëzimin e Krijmtarisë te ato gurra të arkivave dhe dokumenteve arkivore që inspiruan dhe ushqyen veprën kapitale të historianit, pedagogut e studjuesit profesor Shukri Rrahimit.

Le të jetë kjo e vërtetë  ngushëllim për familjen e tij, për nxënësit e studentët e tij dhe për gjithë ato që e kanë dashur dhe respektuar. Le ta përcjellë falënderimi Ynë për të gjitha ato që ka bërë në fushën e historiografisë dhe më gjërë!

Lavdi historianit, që prej sot, 9 mars 2021, bëhet edhe vetë historia: i çmuar dhe i paharruar!

I shtrenjti profesor e mësues, i shenjti koleg e mik, lamtumirë! Të qoftë dheu i lehtë, në varrezat e Butelit, në Shkupin e Dardanisë…..

11 mars 2021, Strugë