Porosi nga Tetova: Nuk duhet biseduar fare për ndarjen e Kosovës

Po bëhen vite që preokupim parësor i politikës së shqiptarëve është bë çështja e ndarjes së Kosovës. Janë me qindra individë që janë bë pjesë e këtij debati absurd. Pjesë e një debati që dikush e kurdisi me mjeshtri të paparë në këtë mjedis. Tashmë askush nuk ka mundësi të bëjë një përllogaritje sa dëm ka shkaktuar kjo epidemi politike në mjedisin tonë. Po, s’ka mundësi sepse debati është bë gjithëpërfshirës. Për të debatojnë të gjithë: i madh e i vogël, i dituri e i padituri, i shkolluari e i pashkolluari. Debatojnë kudo. Vend e pavend, në çdo hapsirë ku gjenden. Për të debatojnë pjestarët e të gjitha shtresave, strukturave, profesioneve të shoqërisë. Tema në fjalë ka preokupuar edhe qarqet intelektuale e akademike. Opinioni po bombardohet me qëndrime që shfaqin individë të shumtë. Politikanët (varësisht nga pozicioni që kanë marrë) po e përdorin si mjet më efikas në përplasjet me oponentët politikë. Konfrontimet e tyre kanë çuar deri në krijimin e blloqeve konfrontuese politike edhe në popullatë. E gjithë kjo po ndodh pa ndonjë strategji të studiuar as sipëfaqësisht dhe si pasojë e paaftësisë të nomenklaturave politike dhe pa harmonizim të qëndrimeve të udhëheqjeve politike partiake. Është e natyrshme, normale dhe e domosdoshme që Republika e Kosovës të ndërtojë raporte të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet për rreth. Në këtë kontekst raporte të mira duhet të ketë edhe me Serbinë. Madje raportet me këtë shtet duhet marrë me shumë seriozitet sepse natyra e problemeve është shumëfish më e ndërlikuar. Kjo për arsye të shumta e të njohura për çdokënd.
Duke u nisur nga mbarë korpusi i çështjeve që kërkojnë zgjidhje, bisedimet me Serbinë fitojnë në peshë dhe bëhen faktorë dominantë për ndërtimin e të ardhmes më të mirë të dy shteteve dhe të rajonit. Pavarësisht se kush, kur dhe si e inicoi çështje e ndarjes së Kosovës, pavarësisht edhe nga ajo se deri ku ka shkuar çështja në fjalë, hë për hë në planin diplomatik ndërkombëtar Serbia ka shënuar një përparësi. Jo për shkak se ka arritur të bind ndonjë shtet për synimet e veta por për vet faktin se çështjen e ka problematizuar duke e promovuar si çështje që kërkon zgjidhje. Me këto lëvizje diplomatike udhëheqja e Serbisë –Vuçiqi ka arritur të prolongojë bisedimet me Kosovën që gjithësesi shkon në favor të vet Serbisë.
Tashmë është bë e qartë se udhëheqësit e R. së Kosovës nuk dëshmuan kapacitet të duhur shtetëror për të mbrojtur interesat e shtetit e për të demonstruar qëndrim të palëkundur në mbrojtjen tyre. Ata, pavarësisht se kush e në çfarë rrethanash dhe me çfarë qëllimesh temën e quajtur ndarja e Kosovës njëherë e përgjithmonë nuk duhej ta bëjnë pjesë të bisedave të tyre, me asnjë zyrtar, as serb e as ndërkombëtar. Madje nuk duhej ta zënë në gojë as me ambasadorët e akredituar në Prishtinë. Nuk duhej ta zënë në gojë as me diplomatë të niveleve më të ulta detyra e të cilëve është: grumbullimi i informatave të çfarëdo qoftë natyre në vendin ku shërbejnë. Rol të njëjtë kanë edhe diplomatët jorezident e të niveleve më të ulta të shteteve me ndikim ndërkombëtar. Pra, tema e ndarjes së Kosovës fare nuk duhej të bëhet pjesë e fjalorit politik të asnjë zyrtari të Kosovës. Pse duhej marrë ky qëndrim dhe pse duhej vepruar kështu?
Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran me të gjitha karakteristikat e nevojshme për cilësim si i tillë. Ajo është e njohur nga mbi 100 shtete të botës duke përfshirë shtetet me ndikim të pakontestuar në krijimin e politikës së botës bashkëkohore. Është e njohur nga shtete që dihet mirëfilli që kanë udhëheqje demokratike të nivelit më të lartë. Këto fakte i janë të njohura gjithkujt.
Njëkohësisht gjithkujt i është e njohur edhe fakti se Kosova është ndarë prej Serbisë. Ky fakt bisedimet gjithsesi i bën më të ndërlikuara, ndërsa zgjidhjet e nevojshme më komplekse. Pse tema e ndarjes së Kosovës nuk duhej zë vend në fjalorin politik të askujt në Kosovë aq më pak të pushtetarëve.
Republika e Kosovës ka shpallur pavarsinë në kufinjtë e njohur. Qysh në pikën e parë të neni të parë të dispozitave themelore të Kushtetutës thuhet: Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.
Në pikën e dytë (2) të nenit dy (2) të këtyre dispozitave është shënuar: Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.
Ndërkaq, neni 18 që e rregullon Ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare që në pikën e parë thotë: Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2-3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: nënpika një (1): territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake. Mëtutje, duket se pika e dytë (2) e eliminon çdo dilemë rreth ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në të shprehimisht thuhet: Marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1, ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
Me këtë në fakt bara kryesore, respektivisht roli vendimtar për vendosje nga presidenti kalon te parlamenti.
Çështja e rolit të qeverisë që mund të ndërlidhet me këtë problematikë është pasqyruar në nenin 93 pika e parë ku flitet për Kompetencat e qeverisë. Aty thuhet: propozon (pra qeveria) dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit. Kushtetuta ka paraparë edhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve më të larta të shtetit. Kështu në nenin 94, pika 9. ku rregullohen Kompetencat e kryeministrit thuhet: këshillohet me presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.
Pasqyrimi i këtyre dispozitave kushtetuese u bë me qëllim të qartësimit të dilemave dhe hamendjeve lidhur me rolin e institucioneve më të larta të shtetit të Kosovës gjatë debateve për ndryshimin e kufinjve, në rastin konkret edhe të mundësisë së ndarjes së shtetit.
Të vetëdijshëm për këto dispozita kushtetuese shtrohet pyetja: Pse kryetari Hashim Thaçi i hyri një aventure që nuk i dihet fundi por që gjithsesi dihet se vendimi përfundimtar për ndarje të mundshme të Kosovës do të merrej në Kuvend. Në këtë drejtim shtrohet pyetja tjetër: A u respektua neni 94, pika 9. ku është përcaktuar që në kuadër të kompetencave, kryeministri këshillohet me presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit. Siç dihet ish-kryeministri Ramush Hadarinaj u bë protagonisti numër një që kundërshtoi bisedat lidhur me ndarjen. Andaj vetvetiu konkludohet se për këtë çështje nuk ka patur këshillim Thaçit dhe Haradinajt. Lidhur me temën në fjalë në adresë të Hashim Thaçit janë bë kritika të njëpasnjëshme. Janë thënë fjalët më të rënda, më të ashpra. E gjithë kjo ka zënë vend në vokabularin e opinionistëve, politikanëve dhe shumëkujt tjetër. Shumëçka nga kritikat janë bë edhe në parlament.
Pse nuk duhet biseduar për ndarje?
Republika e Kosovës si shtet sovran është shpallur me shkëputjen nga Serbia. Këtë shkëputje Serbia nuk e pranon. Me pranimin e udhëheqjes së Kosovës për të biseduar lidhur me mundësinë e shkëputjes së një pjese të territorit të saj, Kosova e pranon se integriteti territorial i saj është i padefinuar!!! Me shpalljen e pavarësisë së shtetit në kufinjtë e njohur Kosova e ka definuar inetgritetin territorial. Mirëpo, me pëlqimin për të biseduar për integritetin territorial me një shtet prej të cilit jeni ndarë, me një shtet i cili nuk e pranon shkëputjen, vetvetiu problematizohet pavarësia.
Thuajse të gjithë individët që diskutojnë rreth temës së ndarjes zakonisht merren me teknikat e bisedimeve. Njëherit në diskurset e tyre dominon deklarimi, respektivisht pozicioni që e merr ndonjë diplomat, ministër i jashtëm ose zyrtari më i lartë i një shteti. Nga kjo mëtutje thurren teori të ndryshme konspiracioni prej të cilave opinionit i servohen miqtë e armiqtë e Kosovës, gjegjësisht shqiptarëve. Kjo mënyrë e veprimit nuk shkon në favor të ardhmërisë së Kosovës. Andaj strukturat përgjegjëse duhet të kanalizojnë angazhimin dhe inkuadrimin e individëve të ndryshëm në debate për çështjet kapitale të shtetit.
Në vazhdën e preokupimit me çështjen e ndarjes së Kosovës, qeveria e saj vendosi taksën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës. Arsyetimet për këtë veprim, dorën në zemër, nuk ishin gjithaq të justifikueshme dhe të qëndrueshme. Kjo për shkak se mbarë faji për mosinkuadrimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL dhe UNESKO i lihet Serbisë. Po çka ka pritur udhëheqja e Kosovës prej Serbisë e cila me shekuj ka zhvilluar terror mbi popullatën shqiptare. Ajo edhe me Kushtetutë Kosovën e quan territor të vetin.
Fatkeqësisht opinionet për mosangazhimin e duhur të strukturave zyrtare të Kosovës që janë të obliguara të punojnë për realizimin e këtyre synimeve munguan plotësisht. Serbisë i zihet për të madhe edhe lobimi për tërheqjen e njohjeve të Republikës së Kosovës, por fare nuk flitet për mosangazhimin e diplomacisë së Kosovës si në pengimin e veprimit të Serbisë ashtu edhe angazhimin për sigurimin e njohjeve nga shtete që këtë ende nuk e kanë bë. A ju kujtohet kur është bë njohja e fundit? Të përkujtojmë se Madagaskari është shtet i fundit që më 24 dhjetor 2017 e ka njohur Republikën e Kosovë. Pra gjatë qeverisjes së Haradinajt kemi vetëm një njohje.
Megjithatë, pavarësisht nga arsyet dhe qëllimi i vendosjes së taksës, duhet pranuar se me këtë veprim ideatorët dhe nxitësit mjaft mirë e kanë pleqnuar çështjen. Nuk më janë të njohura të dhënat (nëse është bë një analizë e tillë) për dëmet ekonomike që me vendosjen e taksës i është bë ekonomisë së Serbisë si dhe përfitimet e ekonomisë së Kosovës. Veprimin e udhëheqjes së Kosovës lidhur me taksën e vendosur, shumëkush e sheh nga këndi ekonomik. Në fakt veprimi është me karakter shumë domethënës politik. Me anë të kësaj takse udheheqja e Kosovës demonstroi sovranitetin e shtetit dhe Serbisë i dhemb pikërisht kjo, jo ana ekonomike. Prandaj, taksa shumë mirë e luajti rolin e vet dhe lirisht mund të shkojë në historinë e shtetndërtimit të Kosovës.
Mahi Nesimi, politolog, publicist dhe ish ambasador.
P. S. Që në prill-maj të vitit 1999 me disa shkrime autori ka tërhjek vërejtjen për rrezikun e ndarjes së Kosovës.