Popullsia globale e pandave gjigante në struktura të kontrolluara ka arritur në 757, deklaroi Guan Zhi’ou, kreu i Administratës Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave, në konferencën “Global Panda Partners 2024”, zhvilluar në Chengdu, citon “Xinhua”.
Kina ka krijuar 67 rezervate natyrore për pandat gjigante dhe Parkun Kombëtar të Pandave Gjigante, duke mbuluar një sipërfaqe të kombinuar prej 2.58 milionë hektarësh dhe duke lidhur habitatet e 85 për qind të popullsisë së pandave të egra të vendit, tha Guan.
Aktualisht, popullsia e pandave gjigante në natyrë në Kinë është rreth 1900.
Guan theksoi se Kina është angazhuar në bashkëpunim kërkimor për ruajtjen e pandave gjigante me 26 institucione në 20 vende, si rezultat i të cilave kanë lindur 71 këlyshë.
Sipas Guan, Kina synon që në të ardhmen të nxisë zhvillimin e Parkut Kombëtar të Pandave Gjigante, të ndërtojë një platformë bashkëpunimi për kërkimin e pandave gjigante të klasit botëror dhe të kryejë bashkëpunim dhe shkëmbime të gjera mbi pandat gjigante.