Polonia i kthen prapa dy kosovarët që shkuan të luftojnë kundër Rusisë

Dy suharekasit e interesuar që të marrin pjesë në luftën në Ukrainë janë kthyer mbrapsht nga autoritetet polake.

Siç raporton Kanal 10, të dy qytetarët me pasaportë të Republikës së Kosovës dhe vizë Shengen, kanë alarmuar autoritetet polake, duke i mbajtur në pyetje për katër orë rresht.

Qytetarët kosovarë, gjatë bisedes së djeshme me mediumin, kanë thënë se megjithëse kanë pak përvojë ushtarake, pamjet që i kanë parë dhe armiku i përbashkët, janë disa nga arsyet që i kanë nxitur të udhëtojnë për në Ukrainë.

Veprimi i dy kosovarëve është në kundërshtim me Ligjin në fuqi të Kosovës për pjesëmarrje në luftërat e huaja, i cili ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2015 dhe parasheh dënime deri në 15 vite burgim për shkelësit.