Politikanët nga Maqedonia e Veriut urojnë arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi

Mbrëmë gjatë orëve të vona pas takimit maratonësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Serbisë , Vuçiq me ndêrmjetësimin e BE është arritur një marrëveshje ku pritet të zbatohet dhe të nënshkruhet në ditët në vijim.

Politikanët dhe funksionarët nga Maqedonia e Veriut kanë dërguar urime për këtë takim dhe marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka përgëzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin kosovar Albin Kurti, për, sipas tij, guximin dhe vizionin e tyre, si dhe i ka uruar qytetarët e të dyja vendeve në rrugëtimin drejt BE-së.

“Jam krenar të pres, në emër të qytetarëve tanë, me ekipin tim, procesin negociues ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Përgëzoj presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për guximin dhe vizionin e tyre dhe u uroj përparim dhe sukses të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, ka shkruar Kovaçevski në Facebook.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në rrjetin social Facebook shkruan se nga Ohri po përmbyllin më hapa të reja të arritjes së marrëveshjes në dialogun Kosovë-Serbi.

Ahmeti ndër të tjera ka falënderuar SHBA-të dhe BE-në për zhvillimin e negociatave më synim suksesin e përbashkët.

Ditën e filluar me shumë optimizëm në Ohër, po e përmbyllim me hapa të reja të arritjes së marrëveshjes së favorshme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Palët shprehën dakordësinë e shumëpritur publike për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, ky është lajm i madh dhe i shumëpritur që kontribuon në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

Ky dialog tejkalon dimensionin bilateral, mbarëvajtja e suksesshme e tij me epilog njohjen e ndërsjelltë determinon orientimin europian të rajonit dhe rrumbullakëson shtetësinë e plotë të Kosovës.

Inkurajoj palët të vazhdojnë këtë rrugë të mbarë me besueshmëri të plotë në faktorin ndërkombëtar deri në vendosjen e nënshkrimit në marrëveshjen finale në Bruksel, akt nga i cili nuk humb askush, por fiton ardhmëria e shëndoshë e paqes dhe progresit.
Faleminderit SHBA dhe BE” – shkruan Ali Ahmeti.

Edhe zv/kryeministri Grubi ka uruar marrëveshjen e arritur përmes një statusi:

Statusi i plotë:

“Përshëndes progresin e arritur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë sot në Ohër, përafrimin e qëndrimeve mes palëve me dakordësi mbi marrëveshjen si asnjëherë më parë me qëllim të zbatimit të normalizimit të marrëdhënieve mes tyre përmes njohjes së ndërsjelltë. Sot kryetari Ali Ahmeti ka qëndruar në Ohër që nga orët e para të mëngjesit, duke dëshmuar se i qëndrojmë gjithmonë në mbështetje Kosovës dhe rrumbullakësimit të plotë të shtetësisë së saj. Mirënjohje për ndërmjetësimin e drejtë dhe krucial të përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitetin dhe ardhmërinë europiane të rajonit” – shkruan Grubi.

Pendarovski nuk ka dhënë më shumë detaje por ka shkruar:

“Përshëndes marrëveshjen e arritur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, nën kujdesin e BE-së”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka uruar Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes në Ohër.

“Një ditë për t’u mbajtur mend për të dy vendet, por po ashtu edhe për të ardhmen evropiane të rajonit dhe konsolidimit të tij demokratik”, është shprehur Osmani, duke uruar edhe ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak.

“Të nderuar që Maqedonia e Veriut ishte nikoqire e këtyre bisedimeve historike” – shkruan Osmani. /Telegrafi/