Politika për integrime, rinia drejtë Gjermanisë

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Derisa politikanët në Maqedoni po flasin për integrime euroatlantike, principe dhe vlera evropiane, qindra mijëra të rinj shqiptarë po i bëjnë gati valixhet për një jetë të re në vendet e Perëndimit.

Në të shumtën e rasteve, Gjermania është destinacioni i tyre, vend i cili ka hapur dyertë për kuadro deficitarë nga Maqedonia dhe rajoni.

Ambasada e Gjermanisë në Shkup, është vërshuar nga kërkesat e shumta për termime, nga të rinjtë të cilët tashmë kanë gjetur punë në këtë shtet dhe presin të marrin vizën për një rrugë njëdrejtishme.

Jo zyrtarisht mësohet për një vit kalendarik kanë ikur mijërar të rinj, të cilëve politika u vodhi ëndrrat dhe shpresën.

Eksodi i trurit të ri është si rezultat i brishtësisë së shteteve, dominimit dhe indoktrinimit politik në çdo pore të shoqërisë dhe jetës së përditshme.

Ky fenomenë po shfaqet për shkak të anashkalimit të trurit dhe intelektualizmit si dhe dominimit të klasave mediokre politike të zhytura në krim të organizuar dhe korrupsion të hatashëm.

Kjo armatë që ka pushtuar institucionet dhe sferat e tjera shoqërore është një oktapod gllabërues që thellon humnerën e një keqqeverisje dhe mungesën e një vizioni për të ardhmen e vendit dhe sidomos popullsisë së re, duke servuar varfërinë dhe pasigurinë totale.