Politika në pandemi (Tregim satirik)

Sermet SULEJMANI

Kalova dy javë të tëra i ngujuar në banesë nga frika e pandemisë, e s’po dija gjë ç’po ndodhte me politikën në pashallëkun tonë. Sapo u zgjova, meqë po më ecte puna ters, zbrita poshtë pallatit tim në kafene për ta pirë kafenë e mëngjesit, si zakonisht pa futur një kaçore buke në gojë, u ula në një tavolinë bashkë me pronarin e kafenesë ku të gjithë klientët me maska në gojë e më ngjanin në ”hajdutë bankash” dhe e pyeta pa teklif si rëndom ‘’ç’kemi?’’, kur papritmas të gjithë vizitorët e pranishëm, ku shumica e tyre ishin opozitarë të thekur, hoqën maskat dhe buzëvarur drejtuan shikimin e tyre tek unë sikur të kishte ndodhur hataja, u hodhën përpjetë dhe njëzëri m’u përgjigjën ‘’ka ngjarë gjëma, mik, po…lëre mos e zgjat!’’

Më mbeti pështyma në fyt dhe s’dija si të veproja, ula kokën mbi filxhan si zog pule. Pas gllënjkës së parë të kafesë, pronari i kafenesë, një mik i imi i vjetër, m’u afrua:
– S’ke dëgjuar gjë?
– Jo. Ç’ka paska bërë vaki? – iu përgjigja i habitur.
Në ndërkohë Muli, djali i pronarit murmuriti:
– Në kafenenë tonë s’lejohen më debate politike!
– Ouu! E përse? – iu drejtova me sëkëlldi. – Më parë këtu gëlonin lajmet nga tëra anët, tani u dashka shikuar lajmet e rrejshme nga televizionet…
– Ka dy javë që kemi vendosur që në kafenenë time të mos flitet më për politikë, – ma ktheu me një ton të ulët.
– Po përse flisni me zë të ulët? – e pyeta pronarin.
Duke u afruar drejt meje me gishtin tregues në buzë, më përshpëriti në vesh:
– Eh, miku im, deri sa ti u ”karantinove”, këtu kanë ngjarë shumë gjëra. Hashep Gazepi i partisë tënde një javë më parë desh u vra me Cufë Kokëmushkën e kafenesë përballë, vetëm për këtë të mallkuar politikë. Lëre këtë, po pas asaj ngjarje të shëmtuar, sapo ikën ata, erdhën fëmitë e tyre, u kapën për flokë e s’kishte njeri që t’i ndante, deri sa erdhi policia e zhagas i zvarriti deri ke stacioni i policisë… Nga ajo ditë, s’guxon më kush ta përmend shkronjën ‘’p’’, e lëre më ta shqiptojë atë të mallkuar fjalë deri në fund…
– Si, as lajme në televizion nuk shikoni?
– Shëët! Lë-lë-lëre këtë muhabet se po plas përsëri belaja!
Më vonë, kur shumica e klientëve dolën nga kafeneja, pronari m’u drejtua:
– E si t’ua lejoj debatin politik ore mik, kur para dy javësh desh m’i thyen të gjitha gotat dhe filxhanet e kafesë, vetëm e vetëm pse Hashepi yt tha se filan politikani i partisë së Cufë Kokëmushkës po mbajka unaza të shtrenjta prej sërmi. Nërkaq Cufë Kokëmushka u nxeh kaq shumë sa mori fixhanin e kafesë e ia përplasi suratit të Hashepit dhe e bëri qullë. Sakaq ai i qullosuri, miku jot Hashepi mori karrigen dhe e qëlloi mu në kupë të kresë sa gjaku i shkonte curil… Mos qenë gratë e të dyja palëve, kafenesë sime, do t’i mbeteshin vetëm muret.
– Pas kësaj… ç’ndodhi?
– A, po. Një javë të tërë e mbylla lokalin dhe ika në Bellanoc.
Hëm, tërë javën dyja palët më luteshin që të kthehesha e betoheshin se më, jo vetëm që s’do flisnin për politikë, por as s’do shqiptonin asnjë fjalë që do të fillonte me shkronjën ‘’P’’…
Sapo shkela pragun e derës, para lokalit po më prisnin nja njëzetë a tridhjetë gra e të dyja palëve që kishin vendosur që për inatë të burrave të tyre të politizuar të ndërronin partitë.
– Si-si?
– Thjeshtë: ato gra që burrat e tyre i kishin pasur në partinë në pushtet, të kalonin në opozitë dhe e kundërta…
Teksa e dëgjoja, matanë rrugës, tek lokali tjetër, ishin mbledhur burrat e dy partive me sy të shqepur këtej e që po prisnin ç’po ndodhte me gratë e revoltuara dhe situatën e pazakontë që qe krijuar. Kur morën vesh që gratë e tyre u kishin kaluar në taboret e kundërta, ulën kokat dhe s’di ku vajtën, por mora vesh që me javë të tëra gratë e tyre s’i kishin lejuar të flejnë në një shtrat bashkë me ta. Nga ajo kohë, miku im, në kafenenë tonë mbizotëron paqja.
– Po si e zgjidhën problemin e përdorimit të fjalëve që fillojnë me shkronjën ”p”?
– A, po. Fare thjeshtë; asaj fjale iu heq shkronja e parë ”p” dhe shqiptohej pa të…