Politika e jashtme e Shqipërisë dhe Maqedonisë tanimë dirigjohet nga Beogradi

Shkruan: Robert Nesimi

Tentimi për krijim të Serbosllavisë (Jugosllavia e re = Jugosllavia plus Shqipëria, minus Kroacia e Sllovenia), që nëpërmjet Open Balkan po tenton të shtrijë hegjemoninë serbe në gjithë Ballkanin Perëndimor, po vazhdon tani me hap të përshpejtuar, do thoja me tempo të frikshme.

Lajmi kryesor nga rajoni sot është se liderët e Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë, Vuçiq, Rama e Kovaçevski, po vendosin bashkë nëse do të shkojnë në Samitin e BE-së.

Pra në raportet me BE-në tanimë Serbia, Shqipëria e Maqedonia shfaqen si një bllok i përbashkët; vendimi se si duhet Tirana e Shkupi të vendosen karshi Brukselit, sot e tutje bëhet në koordinim me Beogradin.

Në esencë kjo do të thotë se të tre shtetet tani dalin në skenë me politikë të jashtme të përbashkët. Duke ditur raportet e forcave (demografike, ekonomike, institucionale etj.) të tre shteteve, kjo faktikisht do të thotë se Shqipëria e Maqedonia kanë suspenduar ministritë e tyre të jashtme dhe politikën e jashtme të të trija shteteve e dirigjon ministri serb i jashtëm, Selakoviç. S’do mend edhe se lider i vërtetë i kësaj federate të re është Vuçiq.

Zhvillimet e këtilla gjithsesi se janë tejet të rrezikshme për gjithë rajonin, e sidomos për shqiptarët. Kështjella e fundit që akoma po i bën ballë kësaj nisme perverse tani për tani mbetet Kosova. Për momentin Kosova po bën e vetme betejën për të shpëtuar jo më veten, por për të shpëtuar edhe Shqipërinë, Maqedoninë e rajonin nga hegjemonia serbe.

Prandaj në rrafshin politik dhe diplomatik Kosova sot ka nevojë për mbështetje nga të gjitha forcat e shëndosha politike dhe intelektuale edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia.