Policia gjen 12 aparate për prodhimin e kriptovalutave në Frashër të Mitrovicës

Policia e Kosovës njofton se në orët e pasdites ka kryer bastisje në fshatin Frashër të Mitrovicës, ku ka gjetur 12 aparate për prodhimin e kripovalutave.

Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e dyshuar, hetuesit policorë bëhet e ditur se kanë identifikuar një person të dyshuar.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale  në Mitrovicën e Jugut, në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSh) nën dyshime të arsyeshme për veprimtari të kundërligjshme në orët e pasdites së sotme kanë realizuar një bastisje”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Telegrafi.

“Si rezultat i  hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një shtëpi në fshatin Frashër të Mitrovicës. Gjatë  bastisjes janë gjetur 12 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”.

Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e  gjetura, policia thotë se është njoftuar prokurori i çështjes, i cili ka sugjeruar që me veprime të mëtejme hetimore të merren autoritetet doganore.