Policia e Tetovës informoi se sot pasdite është arrestuar një 32 vjeçar te i cili u gjet një sasi e madhe e kapsollave dhe materialeve të tjera piroteknike.
I dyshuari është mbajtur në Stacionin policor të Tetovës dhe pas pastrimit të tërësishëm dhe dokumentimit të rastit do t’i përgatitet një parashtresë adekuate.
“Rreth orës 14 e 30 minuta në rrugën ‘120’, në afërsi të Tregut të Gjelbër në Tetovë, nëpunës policorë të Sektorit të Punëve të Brendshme Tetovë e privuan nga liria 32 vjeçarin A.A. nga fshati Llarcë e Tetovës, te i cili u gjetën dhe u sekuestruan rreth 1000 copë mjete piroteknikë të ndryshme, kryesisht kapsolla”, informoi Marjan Josifovksi, zëdhënës i SPB-së Tetovë.
Përndryshe në fillim të muajit, Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, i bëri thirrje opinionit dhe popullatës që të përmbahet nga aktivizimi i mjeteve piroteknike si kapsolla, pasi veprime të tilla paraqesin shkelje dhe ndëshkohen me gjobë, ndërsa shitja paraqet kundërshtim me Kodin penal. Gjobat në para sillen nga 200 deri 500 euro.
Në apelin është potencuar gjithashtu edhe rreziku për shëndetin e njeriut nga përdorimi i mjeteve piroteknike, gjegjësisht lëndime në duar, sy dhe pjesë të tjera të trupit.