Poker Lion

Shkruan: Lutfi Dervishi

Në një akt të pashembullt që do të shkruhet në analet e historisë, policia në Kurbin arriti sot të vërë në pranga një  prej kriminelëve më të rrezikshmë të epokës moderne.

Në një operacion që mund të krahasohet vetëm me kapjen e Al Capone, bazuar në inteligjencën policore dhe në bashkëpunim me partnerët, policia bastisi një lokal dhe vuri në pranga 29-vjeçarin Renato K.

I arrestuari e kishte kthyer lokalin e tij në një vend të tmerrshëm ku njerëzit luanin… Poker! Po, po Poker.
Operacioni, i titulluar Poker Lion (Luani i Pokerit), u kurorëzua edhe me procedimin e gjashtë personave të tjerë që ndodheshin në lokal.

Sipas burimeve të rezervuara të policisë,  krahas tavolinës së pokerit, u gjetën edhe disa sende të tjera (çipe plastike që janë dërguar në laborator) dhe një shumë parash që padyshim janë përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Me këtë lëvizje të befasishme, policia e Kurbinit e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë asnjë aktivitet të këtij lloji.

“Për policinë, ky lokal ishte po aq i rrezikshëm sa një laboratori i prodhimit të drogës, tha ministri i Brendshëm që përgëzoi pjesëmarrësit në operacion për kurajon dhe shkallën e vështirësië me të cilën u përballën efektivët. Ata që mendojnë se është më e lehtë të kapësh një baron droge se një pokerist nuk e dinë se me çfarë rreziqesh janë përballur sot uniformat blu.

Qytetarët e Kurbinit tani mund të flenë të qetë, sepse  rreziku i pokerit është eliminuar nga lagjet e tyre. Falë punës së palodhur të policisë, qyteti i njohur për respektimin e rendit dhe të ligjit tani është i lirë nga tundimet e lojës pokerit.

Me një fytyrë pokeristi të regjur drejtori policisë tha se: “koha për lojëra mbaroi”. Nuk do të tolerojmë asnjë dhe asgjë.
Përqëndrimi te krimet e lojërave të pokerit është një strategji e mirëmenduar e policisë.

Pa eliminuar vesin e keq të bixhozit, policia nuk mund të merret me krime të tjera të vogla si, kanabisi, trafiku, krimi ndaj personit, pastrimin e parave, aksidentet rrugore, armëmbajtjet pa leje, vjedhjet, dosjet e vjetra të pa zbardhura, apo korrupsionin në polici.

Pas suksesit me pokerin policia do të përqëndrohet tek sallonet e masazhit, vende të rrezikshme për sigurinë dhe rendin publik.