Pogba i hapur për të rinovuar kontratën me Man Utd

Një nga lojtarët kyç këtë sezon tek ‘djajtë’ është mesfushori Paul Pogba i cili e ka nisur edicionin e ri të Ligës Premierë në mënyrë fenomenale.

Francezi ka hyrë tashmë në vitin e fundit të kontratës me ekipin anglez, dhe deri tani një largim i tij ka qenë më i mundur se sa një rinovim i kontratës, me Real Madrid e PSG që kanë mbajtur interes të vazhdueshëm për lojtarin.

Sidoqoftë tani duket se francezi ka ndërruar mendje dhe ai është i hapur për të rinovuar kontratën me Manchester United, raporton ‘The Athletic’.

David Ornstein nga ‘The Athletic’, raporton se Paul Pogba po anon tani drejt nënshkrimit të kontratës së re me Manchester United dhe e shtuna kishte ndikim të madh në të menduarit e 28 vjeçarit mbi të ardhmen.

Sipas Ornstein, shumë faktorë janë për t’u marrë parasysh, por tani ka një shans të vërtetë që sapo të rinisin bisedimet mund të pasojë një zgjatje e kontratës.

Një nga faktorët kyç në ndrrimin e mendjes së francezit mund të jetë ardhja e yllit, Cristiano Ronaldo, përmes të cilit klubi anglez i rrit gjasat edhe më tepër për të përfunduar me ndonjë titull këtë sezon.

Përndryshe 28-vjeçari tashmë ka regjistruar një rekord në Premier Ligë në këtë start të kampionatit, duke u bërë lojtari i parë që ka regjistruar shtatë asistime pas katër xhirove të para të një sezoni të Premier Ligës.

Francezi ka një mesatare të një asisti çdo 49 minuta këtë sezon, gjë që e dëshmon qartë formën e tij spektakolare në mënyrën se si e ka nisur kampionatin.