Pochettino zbulon mesazhin që ka marrë nga Boehly – ai hedh dritë mbi të ardhmen e tij

Mauricio Pochettino thuhet se është nën presion të madh tek Chelsea, sidomos pas humbjes turpëruese ndaj Wolves në “Stamford Bridge” me rezultat 4-2.

Por duket se ky presion po vjen nga tifozët dhe mediat, pasi që pronarët e klubit po i qëndrojnë pranë argjentinasit në çdo moment.

“Unë kam marrë një mesazh shumë të mirë pas ndeshjes me Wolves nga pronarët. Ne qëndrojmë të gjithë së bashku”, ka thënë Pochettino në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Ne qëndrojmë të gjithë së bashku në këtë situatë, kjo është më e rëndësishmja. Ata janë në kontakt me mua, çdo ditë”, shtoi ai.

“Tifozët duhet të kenë durim, ne duhet të gjejmë një mënyrë që të kemi sukses”, përfundoi argjentinasi.

Në fakt, Chelsea edhe po të dëshironte shkarkimin e Pochettinos ata nuk do të mund ta bënin këtë, për shkak se do të duhej që të paguanin një kompensim në drejtim të tij në vlerë prej 10 milionë eurosh, shumë kjo e cila do të reflektonte në shpenzimet e tyre për sezonin 2023/2024 dhe do mund të rezultonte në thyerjen e rregullave të Ligës Premier.

“Blutë e Londrës” momentalisht renditen në pozitën e 11-të në Ligën Premier me 31 pikë të grumbulluara pas 23 ndeshjeve të zhvilluara.