“Po shkoj drejt fundit” – Joshua e paralajmëron pensionimin nga boksi

Anthony Joshua e ka pranuar se është duke shkuar drejt fundit të karrierës dhe ka lënë të kuptohet se i kanë mbetur edhe pesë vjet maksimum në boks para se të pensionohet.

Kampioni i botës në kategorinë e rëndë, 31 vjeç, është duke iu afruar mbase periudhës më të rëndësishme të karrierës së tij, sepse është në bisedime me Tyson Fury për dy luftëra për unifikimin e titujve të botës gjatë këtij viti.

Që prej se debutoi në vitin 2013, Joshua është bërë dy herë kampion, pasi i rifitoi tituj
WBA, IBF dhe WBO në rimeçin e vitit 2019 kundër Andy Ruiz Jr, para se t’i mbronte ata me një fitore me nokaut kundër Kubrat Pulev muajin e kaluar.

“Ky nuk është fillimi i karrierës sime. Po shkoj drejt fundit të karrierës sime”, tha Joshua për Sky Sports.

“Unë nuk jam nga ata që jetojnë në çast dhe mendojnë se çdo gjë është e çastit. Unë gjithmonë planifikoj përpara, që do të thotë se po shkoj drejt fundit të karrierës sime”, shtoi ai.

“Kanë mbetur pesë vjet, praktikisht një cikël olimpik. Pra kur të mbahen Lojtarët e ardhshme Olimpike unë futem në fundin e karrierës sime”, nënvizoi ai.

Synimi i Joshuas para se të pensionohet është, natyrisht, t’ia marrë bashkatdhetarit të vet Fury titullin në WBC dhe të bëhet kampion i padiskutueshëm i botës në kategorinë e rëndë.