Po shkëlqen me Barcelona B, ja pse Rei Manaj nuk thirret nga Koeman

Rei Manaj po zhvillon një sezon mjaft të mirë në Spanjë me skuadrën e Barcelona B.

Sulmuesi lushnjar ka shënuar 9 gola në 16 ndeshje, duke ndihmuar ekipin e tij në misionin për ngjitjen në ligën e dytë spanjolle. Mirëpo, pavarësisht paraqitjeve të shkëlqyera dhe vlerësimit të Messit, futbollisti kuqezi nuk ka arritur të debutoi ende me Barcelona A.

Po pse nuk luan Manaj me Messi-n? Portali iberik “Ok Dario” ka zbuluar se ajo që e pengon djaloshin shqiptar është mosha e tij, 24- vjeçare, dhe nuk konsiderohet më pjesë e ekipit të të rinjve, si dhe bilanci në vështirësi i Barcelonës. Nëse Manaj do të debutonte në ekip me Mesin, automatikisht për shkak të moshës do të bëhej lojtar i federuar me ekipin A.

Në këtë mënyrë, kalojnë të gjitha përgjegjësitë financiare të klubit, pagesa e mbetur për kartonin, rroga dhe bonuset, në bilancin e Barcelonës A, aktualisht në vështirësi. Me gjithë vëzhgimin e Koeman nga afër, Manaj do ta ketë të vështirë debutimin me skuadrën A, edhe pse është në pritje të ftesës prej tij.