Po afrohet rënia e shekullit: Putinit, Vuçiqit dhe Ramës!

Shkruan: Sherif Ramabaja

Gjatë është pritur kjo ditë. Rusisë rënia t’i vie nga brenda. Perëndimi ishte përcaktuar dhe e ndihmonte me armatosje Ukrainën, por me mëdyshje të madhe. Frika ekzistonte te shpërthimi i konfliktit atomik, që do ta paralajmëronte edhe fundin e botës.

Perëndimi e priste me padurim shpërthimin e konfliktit të brendshëm rus, në mënyrë që ndryshimi në Rusi të vinte nga vetë populli.

Ky rast pra po afrohet. Lideri i Wagner i shpalli luftë kreut ushtarak rus dhe me këtë edhe Putinit. Rusia pritet të zhytet në kaos.

Perëndimi tash e tutje duhet të përgatitet për një proces tjetër, i cili aspak nuk do të jetë i lehtë, sepse sjell shumë pyetje të hapura me dilema të mëdha, se si do të përfundojnë ngjarjet.

Një pyetje shumë e rëndësishme është se si do të zhvillohet lufta për pushtet. Një luftë civile do të ishte një tragjedi tjetër për Rusinë dhe një barrë tepër e madhe për perëndimin.

Me rënien e Putinit priten edhe lëvizje të tjera në arenën ndërkombëtare. Lëvizja që më së shumti u intereson shqiptarëve është se si do të zhvillohen ngjarjet në Ballkan dhe si do të rrjedhin ato.

Kryesisht me rënjen e Putinit pritet që në Ballkan tensionet të qetësohen, duke u detyruar Serbia që ta pranoi realitetin në Kosovë.

Rezistenca e Serbisë pritet që të dobësohet, sepse me rënjen e Putinit edhe Vuçiqi do t´i kishte ditët e numëruara.

Kosova e cila momentalisht është e ngulfatur nga të gjitha anët, duhet që ta marr veten shpejt dhe të riorganizohet për një marrëveshje të re. Marrëveshjet e më parshme duhet edhe njëherë të shqyrtohen, kur të analizohen rrethanat në të cilat janë arritur ato.

Me rënien e Vuçiqit, shtrohet pyetja se çdo të ndodh me Ramën dhe Ballkanin e tij të hapur? Ndërrimi i pozicionit vështirë që mund ta ndihmoi.

Për këtë do të gjykojnë shqiptarët brenda shtetit amë, por një është e sigurt: ai mund të izolohet nga Kosova dhe kudo që janë shqiptarët, jashtë shtetit amë.

Dënim më të madh për te nga çështja morale nuk mund të ketë, kurse nga ana juridike ekzistojnë organet e drejtësisë, në mënyrë që ta vlerësojnë se si dhe në ç´ mase e ka dëmtuar çështjen kombëtare./BotaSot