“Plisat” marrin vendimin: Në Maqedoni do rrimë jashtë të mbrojmë shpinën

 

“Plisat” janë një prej grupimeve më të vjetra dhe që gjithmonë kanë përkrahur Shqipërinë, me idealin e bashkimit kombëtar. Që në kohën kur Kosova ka dalë si një përfaqësuese me vete, ky grupim i tifozëve nga Prishtina, kanë zgjedhur që të mos i shohin dardanët në stadium, pasi për ta ka vetëm një Kombëtare.

 

Ndërkohë futbollistët e drejtuar nga Shaland do të kenë një përballje gjysmëfinale shumë të rëndësishme ndaj Maqedonisë, ndërsa kërkojnë biletën për në Europian. Përballja luhet në një vend që nuk ka shumë mikëpritje dhe pikërisht për këtë arsye, “Plisat” kanë marrë një vendim. Nëpërmjet një përfaqësuesi, Kushtrim Ramadani, thuhet se këta tifozë do të shkojnë në Maqedoninë e Veriut, por jo për të hyrë në stadium, por për të qenë jashtë tij dhe për të mbrojtur shpinën e tifozëve shqiptarë në rast të grindjeve dhe sherre që mund të provokohen nga pala tjetër.

“I kemi disa gjëra të ndara, por kur bëhet fjalë kundër serbëve, atëherë duhet të bashkohemi. Ne do të shkojmë në Shkup dhe do të jemi në mbrojtje të vëllezërve tanë, pasi ne gjithmonë e kemi dëshmuar veten kur është në pyetje nacionaliteti dhe shqiptaria. Ne pretendojmë të shkojmë atje, por nuk do të futemi në stadium, do të qëndrojmë jashtë tij për t’i pritur vëllezërit tanë dhe t’i ruajmë ata, pasi kemi dëgjuar që në këtë ndeshje do të ketë tifozë edhe nga Serbia. Ky është qëndrimi ynë deri më tani, ndonëse vazhdimisht jemi në diskutime si grup në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Kushtrim Ramadani. /Sport Ekspres/